Profesori Fadil Maloku, ka deklaruar se është absurde që të gjitha partitë politike po e konsiderojnë veten fituese në këto zgjedhje lokale, kur sipas tij, fituese e vërtetë është Lista Serbe.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Maloku tha se fituesi i vetëm është Beogradi që me vetëm 5% të popullatës, fitoi më së shumti komuna.
“Fituesi i vërtetë është Lista Serbe apo të thjeshtohet edhe më tej fituesi i vërtetë është Beogradi, jo Prishtina. Absurdi i zgjedhjeve ani pse në nivel lokal është një paralajmërim për zgjedhjet që po vijnë së shpejti. Fakti se Lista Serbe ka më së shumti komuna dhe ajo çka është më e rëndësishmja është se ata përbëjnë 5% të qytetarëve por fitoi 10 komuna. Thënë ndryshe, 25 deri në 30% e territorit kontrollohet nga to”, deklaroi Maloku.
Tutje, Maloku tha se cilado parti që fiton me qeverisjen nacionale, do të duhej të merrej seriozisht me këtë çështje.
Sanksionet e BE-së, sipas Malokut nuk do të hiqen edhe me kalimin e pushtetit te kryetarët serbë në komunat veriore, pasi kushtëzimi i radhës sipas tij do të jetë asociacioni.
Maloku poashtu theksoi se në rast që me qeverinë do të jetë duke udhëhequr ish-opozita, ata do të bëjnë kompromise.
“Do të zbuten masat por këto sanksione nuk do të tërhiqen pa kushtëzime. Kushtëzimi do të jetë te asociacioni. Varet kush është në qeveri. Nëse janë ‘esmenët’, ish-opozita kështu i quaj unë, ata me siguri do të bëjnë kompromise. Ndërkohë me Qeverinë Kurti, me shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore ku u aplikua sundimi dhe respektimi i ligjit me Kushtetutën e Kosovës, do të jetë interesante të dihet a do të vazhdoj kështu apo do të ndryshojë”, deklaroi Maloku.
Sipas tij, vendit i duhet një diplomaci më ofansive dhe sipas tij për këtë duhet kritikuar Qeveria Kurti sepse nuk është lobuar mjaftueshëm në aspektin ndërkombëtar.
Profesori Maloku tutje tha se Kosovën e presin procese të mëdha dhe sipas tij, kjo është një nga arsyet pse ka një bllokadë e zvarritje prej muajsh për formimin e institucioneve.