Arbëri

MAPL-ja e kualifikon joligjor dokumentin që e pati modeluar vetë për komunat

Podujeva - tabela

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal po e konteston një dokument që e pati modeluar vetë për komunat. Kodi i Etikës për zyrtarët publikë po del të ketë mospërputhje ligjore, të paktën në nenin 5 të tij, që flet për respektimin e vullnetit zgjedhor të qytetarëve.

Me këtë nen zyrtarëve politikë të komunave u ndalohet ndërrimi i partisë gjatë ushtrimit të mandatit. Kodi është miratuar nga një numër i madh i komunave, përfshirë edhe atë të Podujevës, në vitin 2020, dhe pothuajse në të gjitha figuron ky nen.

“Komuna e Podujevës në vitin 2020 e ka miratuar Kodin e Etikës dhe ky Kod i Etikës ka shkuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë dhe është kthyer si i konfirmuar dhe me dispozitat ligjore është në rregull dhe procedurat ligjore dhe Komuna e kanë në fuqi këtë kod”, tha Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Kjo vërtetohet edhe në përgjigjen që kjo ministri ia pati përcjellë Komunës në Podujevë, pas vlerësimit të ligjshmërisë së dokumentit më 2020.

“Kodi i Etikës për zyrtarët e Komunës së Podujevës, i miratuar më datë 9.9.2020, vlerëson se akti i Komunës është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe si i tillë mund të prodhojë efekte juridike”, thuhet nga MAPL për Komunën e Podujevës.

Përgjigje krejt tjetër dhanë zyrtarët e kësaj ministrie kur u pyetën nëse ndalimi i ndërrimit të partisë nga zyrtarët politikë është i lejuar me legjislacionin në fuqi. Kjo, pasi që Komuna e Obiliqit e hartoi një dokument të tillë në fund të vitit të shkuar, duke e përfshirë nenin 5 që flet mbi respektimin e vullnetit zgjedhor të qytetarëve.

“Të gjitha institucionet kanë të drejtë të hartojnë ‘kodet e etikës’ së institucionit. Gjithashtu edhe komunat e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të hartojnë kodet e etikës, sa u përket sjelljeve etike të zyrtarëve të saj, por veprimtaria politike, të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të kuvendeve të komunave nuk përcaktohen me Kod të Etikës. Sipas legjislacionit në fuqi, kandidatët për anëtarë të kuvendeve të komunave i nënshtrohen vetëm Kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, neni 15 i Ligjit nr. 03/l-072 për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës. Pra, komuna nuk ka të drejtë që më anë të Kodit etik të ndalojë ndërrimin e partisë pas zgjedhjeve lokale. Veprimet e anëtarëve të Kuvendit të Komunës janë të pavarura dhe nuk i nënshtrohen ndonjë obligimi tjetër, jashtë rregullave të përcaktuara me ligj”, thuhet nga MAPL.

Që nga 12 janari KOHA i adresoi sërish pyetje Ministrisë mbi arsyen e ofrimit të përgjigjeve e vlerësime të kundërta lidhur me këtë Kod dhe se çfarë do të bëhet me dokumentin e miratuar në shumë komuna, porse deri më tash nuk ka pranuar përgjigje.

Në Komunën e Drenasit konfirmojnë se ministria e ka draftuar vetë këtë kod dhe se ua ka dërguar atë komunave. Bazuar në zyrtarë të saj, Ministria asokohe nuk e pati vlerësuar ligjshmërinë e dokumentit, pasi nuk e konsideroi të nevojshme.

Një Kod të ngjashëm Etik, me përmbajtjen pothuajse të njëjtë të nenit 5, e miratuan që në vitin 2020 Komuna e Ferizajt, ajo e Gjilanit, Podujevës, Vushtrrisë, Istogut, Drenasit, Skënderajt, Daçanit, Shtërpcës dhe ajo e Shtimes më 2021.