Arbëri

Marrëveshje bashkëpunimi mes sindikatave të policisë së Kosovës dhe Sllovenisë

Sindikatat e Policisë Kosovë-Slloveni

Sindikata e Policisë së Kosovës dhe ajo e Policisë së Sllovenisë, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar që synon forcimin e lidhjeve sindikale dhe zhvillimin profesional të punonjësve të policisë në të dyja vendet. 

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, dhe presidentja e Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, Anita Arzensek, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë ndërmjet dy organizatave.

Sipas njoftimit të sindikatës së PK-së, kjo marrëveshje shënon moment historik për sindikalizmin policor në Kosovë, duke e vendosur organizatën në një rol më të fuqishëm brenda rrjetit evropian të sindikatave të policisë.

“Ky bashkëpunim ka për qëllim forcimin e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave profesionale,  organizimin e aktiviteteve profesionale, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta për përfaqësuesit sindikalë dhe punonjësit e policisë, zhvillimin e projekteve sociale, kulturore, sportive dhe edukative që kontribuojnë në mirëqenien e punonjësve, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe sindikal në nivel evropian”, thuhet në njoftim.