Vetëm 5 familje nga 200 sa dikur jetonin në fshatin Selac të Komunës së Mitrovicës, vazhdojnë të qëndrojnë ende aty.
Sipas banorëve të fshatit, për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur janë detyruar të shpërngulën në vende të tjera.
Tutje, banorët kanë thënë se infrastruktura e dobët u sjell telashe në qarkullim dhe se tashmë për këtë janë ankuar në Komunë e Ministri, por që ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh, raporton KOHA.
Banorë të kësaj ane, muaj më parë kanë protestuar, duke kërkuar që rruga e cila lidh qytetin e Mitrovicës me këtë fshat të asfaltohet. Në anën tjetër, zyrtarë të Komunës së Mitrovicës, përmes telefonit, kanë thënë se janë të interesuar për asfaltimin e rrugës, por që komuna e vetme nuk ka mjete të mjaftueshme për atë projekt.
Pronarë të hidrocentralit, i cili është në këtë fshat, kanë thënë për televizionin se ata kanë shprehur gatishmërinë të ndihmojnë për rregullimin e kësaj rruge, dhe u janë bashkuar banorëve në protesta, por që nuk kanë hasur ende në mirëkuptim.