Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbetjet mortore të 469 personave nuk përputhen me asnjë mostër referuese të familjarëve

Mbetjet mortore

Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë ka arritur të nxjerrë ADN-në nga mbetjet mortore të 469 personave, por ato nuk janë përputhur me asnjë mostër referuese të familjarëve të personave të zhdukur në Kosovë. Telash tjetër për autoritetet në Kosovë është se 1,621 mbetjeve mortore ky komision nuk ka arritur t’u nxjerrë profil të ADN-së për shkak të degradimit dhe vjetërsisë

Vjetërsia dhe dëmtimi për 27 vjet ka lënë pa u identifikuar 1,621 mbetje mortore, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Mostrat e dërguara në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë për analizë të ADN-së nuk kanë dhënë asnjë profil gjenetik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, nga ky komision i kanë thënë KOHËS se dështimi në nxjerrjen e ADN-së nuk nënkupton fundin e procesit të identifikimit.

“Një rast i personit të zhdukur – që do të thotë një grup mbetjesh njerëzore – mund të testohet disa herë. Kocka të ndryshme ose dhëmbë mund të ruajnë ADN më mirë, dhe shkencëtarët mund të përdorin gjithashtu metoda të përmirësuara me kalimin e kohës. Kjo do të thotë se mund të bëhen disa përpjekje për të njëjtin individ, kështu që një dështim tregon vetëm që ajo mostër e veçantë nuk ka dhënë ADN të përdorshme – jo që identifikimi është i pamundur”, është thënë në përgjigjen e Komisionit.

Antropologu në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, vlerëson se shumë nga mostrat janë të djegura ose të fragmentuara në atë masë sa është e vështirë nxjerrja e ADN-së. Por, ai shpreson se përparimet teknologjike do të mundësojnë ritestimin.

“Megjithatë gjatë rishikimit të mbetjeve mortore që janë ende të pa identifikuara, ne kemi vendosur që të ridërgojmë sërish këto mostra të cilat janë të djegura apo fragmentuara duke marrë parasysh që teknologjia ka përparuar sidomos në nxjerrjen e profilit të AND-së kështu që ne shpresojnë që me përparimin e teknologjisë do të kemi mundësi që t’i ritestojmë këto mostra dhe të provojmë të nxjerrim profilin e AND-së”, ka thënë Haliti.

Një tjetër telash i autoriteteve në Kosovë është se në laboratorët e komisionit në Hagë janë nxjerrë ADN-të e 469 personave, por ato nuk janë përputhur me asnjë mostër referuese të familjarëve të personave të zhdukur.

Të gjitha këto mbetje mortore ruhen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas antropologut Haliti, një pjesë e madhe e këtyre rasteve lidhet me identifikimet e realizuara në periudhën 1999–2000 nga ekipet e Tribunalit të Hagës, por jo në mënyrë shkencore.

Haliti bëri të ditur se së fundmi ka nisur një iniciativë për t’u kërkuar familjeve mostra shtesë të gjakut, me qëllim verifikimin nëse trupat janë identifikuar gabimisht.

“Deri më tani kemi shkuar ju kemi adresuar familjeve, familjet kanë qenë shumë të mirëkuptueshme duke ju falënderuar ndihmës që kemi nga shoqatat e familjeve dhe në të gjitha rastet ku iu kemi targetu disa grupe, sa herë që kanë dhënë familjet gjake është dëshmuar që në realitet kemi edhe trupa të paidentifikuar, janë përputhur d.m.th. siç është dhënë mostra e gjakut është përputh e mostrën kockore që është marrë  nga trupat e pa identifikuar në IML dhe në këtë mënyrë është konstatuar që realitet ai trup paska qenë i paidentifikuar në IML dhe i është dorëzuar familjes”, ka theksuar Haliti.

Komisioni në Hagë deri më tani ka përpunuar 7,687 mostra, e që dyshohet se janë të të zhdukurve nga lufta në Kosovë.

Deri tash ka lëshuar 2,681 raporte përputhjeje të ADN-së.