Arbëri

Mbi 144 mijë aplikime për subvencionim të teksteve shkollore janë pranuar

Tekste shkollore

Foto: Ilustrim

144,337 aplikime janë pranuar përmes platformës e-Kosova për gjashtë ditët e para nga hapja e sistemit për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore. 

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se deri tash nuk ka pasur ankesa. Ajo ka shtuar se verifikimi i aplikimeve nga koordinatorët e shkollave po zhvillohet në mënyrë të rregullt. 

“Brenda gjashtë ditëve të para nga hapja e sistemit për aplikim për subvencionim, përmes platformës e-Kosova, janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime. Deri më tani, janë verifikuar 730,064 aplikime, duke treguar angazhim dhe efikasitet të lartë në menaxhimin e procesit. Procesi po zhvillohet pa pengesa, dhe deri tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit, çka dëshmon për funksionalitetin dhe transparencën e sistemit”, ka shkruar në Facebook.

Subvencionimi i prindërve për blerjen e teksteve shkollore vitin e shkuar, shtetit i kushtoi gati 20 milionë euro.

Metoda e subvencionimit ka filluar në vitin 2023, me vlerësimin e Ministrisë se kjo praktikë ndal abuzimin e buxhetit të shtetit. MASHTI i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore që nga viti 2008.

Por më 2023, Nagavci njoftoi se ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, meqë sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta sesa ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Keqpërdorime me tekste shkollore pati evidentuar edhe një raport i auditorit para dhjetë vjetësh, ku është thënë se një mori librash në vlerë prej 500 mijë euro kanë përfunduar në bodrume të shkollave.

Për keqpërdorimet në të kaluarën, por edhe për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, në fillim të prillit Kuvendi themeloi komisionin hetimor. Por këtij komisioni i kaloi afati i mandatit pa arritur t’i invervistojë të gjithë personat e përfshirë.