Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar mangësi serioze në menaxhimin e pyjeve, përfshirë prerjet ilegale, uzurpimet e dëmtimet në zona të mbrojtura – dëmi monetar për periudhën 2020 – 2023 kap vlerën e 5.3 milionë eurove. ZKA-ja vlerësoi se institucionet përgjegjëse nuk kanë siguruar kontroll të duhur, inventarizim e mbrojtje të resurseve pyjore
Mbi 5.3 milionë euro llogaritet të jetë vlera monetare e dëmeve që, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, u është shkaktuar pyjeve të Kosovës, nga viti 2020 e deri më 2023.
Në raportin për “Mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore”, ZKA-ja ka vlerësuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore dhe Ministria e Mjedisit, që janë përgjegjëse për pyjet, nuk kanë siguruar për to mbrojtje e zhvillim të qëndrueshëm.
Sipas raportit të ZKA-së, mangësi të shumta janë evidentuar në menaxhimin e hapësirave pyjore, përfshirë prerjet ilegale, uzurpimet dhe dëmtimet në zonat e mbrojtura.
“Sipas vlerësimeve të Agjencisë Pyjore, dëmet nga prerjet ilegale në pyjet publike arrijnë mbi 5.3 milionë euro për katër vjet dhe gjatë pesë vjetëve të fundit janë djegur mbi 10.000 hektarë, shkaktar kryesor për këtë është njeriu, qoftë nga pakujdesia, padituria apo piromania, si dhe temperaturat e larta. Sa i përket mbrojtjes, zhvillimit dhe ripërtëritjes së hapësirave pyjore problemet kryesore janë: shfrytëzimi ilegal, mosrikultivimi i hapësirave pyjore nga qiramarrësit, tjetërsimi i hapësirave pyjore shtetërore, mungesa e stafit të kualifikuar dhe mosmenaxhimi i mirë i stafit teknik”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Raporti cek se Agjencia Pyjore nuk ka informacion të plotë për pronat që i menaxhon. Aty thuhet se deri më 2024 janë identifikuar 246 raste uzurpimi e janë paraqitur mbi 2.200 kërkesa për qiradhënie nga shfrytëzues të pronave publike, duke zbuluar shfrytëzim të gjerë të paautorizuar.
Rreth 11 mijë e 600 hektarë kanë pësuar ndryshime kadastrale gjatë viteve 2014–2024, shpesh pa dijeninë e Agjencisë që, sipas ZKA-së, tregon për mungesë koordinimi ndërinstitucional.
Auditori ka evidentuar njashtu prerje ilegale e ndërtime pa leje të shtuara në parqet kombëtare “Sharri” e “Bjeshkët e Nemuna”.
“Sipas drejtorisë së parkut kombëtar ‘Sharri’, rreth 70% e territorit nuk mbulohet me roja pyjore, gjë që ka ndikuar në shkallë të lartë të prerjeve të paligjshme. Ndërsa në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” numri i ndërtimeve pa leje është dyfishuar – për periudhën 2010 deri 2024, nga rreth 2.900 në vitin 2010, në mbi 6.000 në regjistrimet e fundit të vitit 2024”, thuhet në raport.
ZKA-ja u ka rekomanduar institucioneve përgjegjëse ta forcojnë kontrollin dhe t’i unifikojnë të dhënat kadastrale, si dhe të garantojnë mbikëqyrje efektive të qiradhënies.
Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Pyjeve janë zotuar për zbatim të rekomandimeve, ndërsa në Agjencinë Kadastrale nuk u janë përgjigjur gjetjeve të auditimit.