Arbëri

MBPZHR-ja paguan ende qira për hapësirat që i shfrytëzoi AZHB-ja, edhe pse pati mundësi ta shkëpuste kontratën

Ministria e Bujqësisë ka marrë përsipër ta paguajë qiranë edhe për katër muaj për hapësirat, që shfrytëzoheshin nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë, ndonëse zyrtarët e kësaj agjencie, nga prilli janë zhvendosur në objektin, ku më parë ishte AAK-ja. AZHB-ja nuk e shkëputi kontratën, edhe pse ishte në dijeni se do të zhvendosej në objekt shtetëror. Nga viti 2019 e deri më tash, MBPZHR-ja e AZHB-ja i shpenzuan afro 4 milionë euro për qira

Nga prilli, zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë janë zhvendosur në objektin, ku më parë ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë të paguajë nga 27 mijë e 300 euro qira mujore deri më 31 gusht për zyrat, që janë shfrytëzuar më parë nga zyrtarët e kësaj agjencie në “Lakrishtë”.

AZHB-ja nuk e shkëputi kontratën për hapësirat, që i shfrytëzonte, ani se një gjë të tillë mund ta bënte me paralajmërim prej 180 ditësh.

Në bazë të aneks-kontratës së nënshkruar më 14 prill të këtij viti, e të siguruar nga KOHA, MBPZHR-ja i ka marrë përsipër obligimet dhe përgjegjësitë, sipas kontratës bazë, ku në gusht të 2023-tës firmat ishin hedhur nga ish-drejtoresha ekzekutive e AZHB-së, Venera Çerkini, dhe kompania “A2 Group”.

Sipas këtij aneksi, të nënshkruar, po ashtu, nga Venera Çerkini, por tash në pozitën e sekretares së përgjithshme, Ministria do ta shfrytëzojë këtë hapësirë nga 1 maji deri më 31 gusht, duke i paguar kështu afro 110 mijë euro.

“Qiramarrësi i merr të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë, sipas kontratës bazë me numër të protokollit 07/4 Nr.5352 të datës 31.8.2023, për shtërzimin e sipërfaqes së përgjithshme prej 1.560 m2 të përfshira në katet VII, VIII dhe IX me çmimin bruto prej 17.50 m2, përkatësisht 15.600 m2x17,50 euro + 27.300 euro”, thuhet në aneks-kontratë.

AZHB-ja, ani se ishte në dijeni se rinovimi i objektit, ku ndodhej AAK-ja, ishte paraparë që të përfundonte në fund të vitit të kaluar, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë e shkëputjes së kontratës.

E, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë për KOHËN se ndërprerja e kontratës nga AZHB-ja nuk ishte bërë me kohë, për shkak se objekti nuk ishte funksional deri në fund të vitit 2024, ashtu siç parashihej.

“Për të siguruar vijimësi në ofrimin e shërbimeve dhe funksionimin normal të AZHB-së, është vlerësuar se do të kishte pasoja financiare dhe administrative të panevojshme,  nëse do të ndërpritej kontrata pa pasur hapësira të gatshme për zhvendosje. Pas përpjekjeve të shumta u arrit që zyrtarët e AZHB-së të zhvendosen në objektin në ‘Ulpianë’ dhe menjëherë kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm njoftues me qiramarrësin”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por, rinovimi i dy kateve të objektit në “Ulpianë”, që ishte bërë nga MBPZHR-ja, ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. Punimet ishin kryer para datës 23 dhjetor, ndërsa pranimi teknik ishte bërë më 15 janar të këtij viti.

Pjesa, që për shumë vjet është shfrytëzuar nga AAK-ja, ka qenë e gatshme para vitit të ri dhe se aty fillimisht ishin vendosur dy departamente të Ministrisë, të cilat, pas zhvendosjes së AZHB-së, janë kthyer në hapësirat, ku tani shfrytëzohen nga Ministria.

Të pyetur se mbi çfarë baze ligjore janë marrë këto obligime, nga ky dikaster kanë thënë se një gjë e tillë nuk kërkon dispozita të veçanta, pasi Agjencia është organ në kuadër të Ministrisë dhe si e tillë operon në kuadër të buxhetit të saj.

Por, AZHB-ja sipas Ligjit për ndarje buxhetore, e ka buxhetin e saj, dhe procedurat e prokurimit i zhvillon vetë.

Ministria e Bujqësisë dhe AZHB-ja, që nga shtatori i 2019-s, kanë paguar rreth 4 milionë euro për shfrytëzim me qira të 6 kateve në ndërtesën “Ramiz Sadiku” në “Lakrishtë”.

Kontrata e parë mes Ministrisë dhe “A2 Group’ ishte nënshkruar në shtator të vitit 2019, me vlefshmëri deri më 31 gusht 2022, dhe parashihte qira prej 28 mijë e 80 euro në muaj, apo mbi 1 milionë euro në total.

Kontrata ishte vazhduar në gusht të 2022-tës, me ndryshim në çmim, duke e ulur atë në 27 mijë e 300 euro në muaj dhe me afat 1 vjeçar. Një kontratë e re ishte lidhur më pas më 2023 me afat prej dy vjetësh, konkretisht deri në gusht të 2025-s. Për këto tre vjet u shpenzuan edhe 992.800 euro.

Edhe rreth 2 milionë euro u shpenzuan për shfrytëzimin e tri kateve të të njëjtit objekt nga AZHB-ja.

Përveç kësaj, 370 mijë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për rinovim të dy kateve të objektit, ku ishte AAK-ja, për akomodim të zyrtarëve të AZHB-së.

Krahas kësaj, rreth 280 mijë euro të tjera janë paguar nga Ministria për hartimin e projektit ideor arkitektonik për ndërtesën e re të MBPZHR-së.