Është mbajtur të enjten fjala përfundimtare në rigjykimin për rastin e njohur si “Gylenistët”, e në të cilin ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, akuzohet për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve turq. I akuzuari dhe avokati i tij kanë insistuar se dëbimi ka qenë i domosdoshëm pasi që, sipas tyre, gjashtë turqit kanë tentuar që të infiltroheshin në institucione të ndryshme
Shtetasi turk, Hasan Hysein Gunakan, ka thënë të enjten se ekzistojnë raporte, të cilat dëshmojnë që ai është dëbua gabimisht nga Kosova për në Turqi në vitin 2018.
Në seancën gjyqësore të së enjtes, ai e ka dhënë fjalën përfundimtare në procesin në të cilin është duke u rigjykuar ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, si i akuzuar për rastin “Gylenistët”.
Gunakan ka kërkuar që kjo çështje të marrë sa më parë epilog.
“Unë e mbështes fjalën përfundimtare të avokatëve të mi. Nuk e pranoj asnjë akuzë. Unë gabimisht jam dërguar në Turqi dhe ekzistojnë edhe raportet. Unë kërkoj një mënyrë të shpejtë, sepse procedura po shkon shumë ngadalë”, ka theksuar ai gjatë seancës.
Në këtë proces gjyqësor, ish-shefi i AKI-së akuzohet se në mars të vitit 2018 është angazhuar drejtpërsëdrejti në dëbimin e paligjshëm të gjashtë shtetasve turq: Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Hasan Huseyn-Gunakan, Cihan Ozkan, Osman Karakaya e Kahraman Demirez, të cilët më pas janë përballur me procese gjyqësore në Turqi.
Avokati i palës së dëmtuar, Leutrim Syla, ka thënë se ekzistojnë raporte se i akuzuari Driton Gashi e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u marrë edhe me çështjen e transportimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi.
“Është vërtetuar se asgjë nuk është bërë pa mbikëqyrjen e Driton Gashit. Driton Gashi është marrë ekskluzivisht me çështjen e udhëtimit, pra transportin e të dëmtuarve nga Republika e Kosovës, në Republikën turke. Është vërtetuar se, pasi e ka marrë informacionin e pretenduar për rrezikim të sigurisë kombëtare nga të dëmtuarit, i njëjti nuk ka bërë verifikim paraprak të atij informacioni fare”, ka thënë avokati Syla.
Këtë pretendim e ka kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarit Gashi. Avokati i tij, Florent Latifaj, ka theksuar se shtetasit turq kanë pasur ndikim në institucionet më të rëndësishme të Kosovës.
“Kanë tentuar të infiltrojnë njerëz në strukturat e policisë, gjykata, prokurorisë, AKI-së, FSK-së. Kanë rekrutuar informatorë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kanë bërë çka nuk kanë bërë, sipas raportit të AKI-së. Pra, pse mos të vijnë këta, të kthehen këtu, kur sipas raportit të AKI-së i financojnë shumicën e mediave në Kosovë”, ka thënë Latifaj.
Këtë pretendim të avokatit e ka mbështetur i akuzuari Driton Gashi.
“E nderuara gjyqtare e mbështes avokatin tim, nuk kam diçka për të shtuar”, është shprehur ai.
Pas dëbimit të tyre, ndaj gjashtë shtetasve turq është zhvilluar proces gjyqësor në Turqi, nën akuzën se ata kanë qenë pjesëtarë të organizatës “Feto”, e cila është shpallur terroriste në këtë shtet.
E për përjetimet gjatë qëndrimit në burgjet e Turqisë, avokati i palës së dëmtuar, Syla, ka thënë se shtetasit turq kanë rrëfyer edhe para trupit gjykues në Prishtinë.
“Driton Gashi ka përpiluar një raport ku i ka shpallur të rrezikshëm për sigurinë kombëtare 6 shtetas turq, që këta 6 shtetas turq janë dërguar në Turqi, kanë mbajtur burg, kanë ardhur këtu na kanë dëshmuar, pasi që kanë mbajtur burg, që çka kanë hequr aty dhe disa gjëra të tjera të cilat janë rezervuar, sepse as të njëjtit nuk kanë dashur t’i shpalosin këtu me ne”, ka thënë Syla.
E avokati tjetër i palës së dëmtuar, Urim Vokshi, ka theksuar se Turqia ka sjell aeroplan të veçantë në Kosovë për marrjen e shtetasve turq.
“Këta shtetas turq kanë qenë të përndjekur politikisht prej Turqisë, fakt për të. E kemi raportin e avokatit të popullit të Kosovës, ku prej dy prej tyre shteti i Turqisë ka kërkuar ekstradim. Shteti turk për t’i përmbushur interesat e veta, e ka sjellë edhe inteligjencën turke, me aeroplan të veçantë dhe i ka marrë këta njerëz kundërshtim me dispozitat që e rregullojnë largimin e shtetasve të huaj prej Republikës së Kosovës”, ka thënë Vokshi.
Dëbimi i tyre më 2018 pati nxitur reagime të mëdha në Kosovë dhe më gjerë dhe është vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut.
Për këtë rast, Driton Gashi është dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, porse në fund të vitit të shkuar, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës 1 të dispozitivit ndërsa e ka vërtetuar lirimin e dy të akuzuarve të tjerë. Nga aktakuza asokohe u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 24 shkurt të 2021-tës, Gashi se në rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në mënyrën që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion të Ministrisë së Punëve të Brendshme ia ka rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit për Ozkanin, Karabinanë, Demirezin, Hyseyn-Demirin dhe Erdenin si dhe mosdhënien e lejes për Karakoyanë, nën arsyetimin se ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.