Në paraqitjen e fjalës përfundimtare për Jakup Krasniqin, avokati Aidan Ellis ka thënë se prania e të ish-kryetari të Kuvendit në vende ku pati të ndaluar nuk e dëshmon se ai ka qenë në dijeni për krimet e pretenduara në aktakuzë.
“Në dosjen përfundimtare, prokuroria përpiqet në mënyrë të gabuar ta lidhë praninë e z. Krasniqi në disa vende krimesh të pretenduara me kryerjen e krimeve pa dhënë asnjë dëshmi të vetme se e e ka parë ai personalisht të ndaluar në ndonjë vend apo nëse prania e tij ka kontribuuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve. Në paragrafin 581, prokuroria pretendon se vizitat në terren të z. Krasniqi shpesh janë kryer pranë një vendi apo në një periudhë kohore kur janë kryer krimet. Pra ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë ne bazën dhe pa na dhënë ne bazën se prania e tij ka dhënë kontribut në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht ‘ka qenë i pranishëm’ nuk mund të pretendohet që kjo është një provë”, tha Ellis.
Avokati Ellis përmendi edhe pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se Krasniqi e ka takuar Lahi Brahimajn i cili është dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi. Por, sipas tij, prokuroria s’e ka dëshmuar dijeninë e tij për krimet që kreu Brahimaj.
“Sa i takon Jabllanicës fillimisht, pretendimi është se z. Krasniqi ka vizituar Lahi Brahimajn në vitin 1998-n edhe në korrik dhe se dihej botërisht që Brahimja kontrollonte vendin ku mbaheshin të ndaluar personat. Kontrolli i një godine apo një objekti nuk është problemi, problemi është cilat janë provat që z. Krasniqi e ka ditur asokohe që atje kryheshin krime dhe sipas nesh, nuk ka asnjë provë. Nuk ka provë që komunikimet në korrik të 98-ës kanë shërbyer për ta njoftuar z. Krasniqi dhe nuk është dhënë asnjë provë konkrete se ai në të vërtetë ka pasur informacione lidhur me këtë”, tha ai.
VIDEO:
Mbrojtësi i Krasniqit i tha gjykatës se argumentim i dobët nga ana e ZPS-së shihet edhe te pretendimet se i akuzuari ka qenë në dijeni për krimet e kryera në Bajgorë.
“Sa i takon Bajgorës, e njëjta gjë. Z. Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që ka vizituar Zonën e Llapit në gusht të 1998-ës, por prokuroria nuk e vërteton që ai të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që z. Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Në fakt në paragrafin 56 pretendohet se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë kësaj vizite. Kjo nuk mjafton për të dalë në përfundimit se ai ka pasur dijeni për ndalim të personave atje”, tha Ellis.
Mbrojtësit e të akuzuarve e kanë sjellë vazhdimisht në vëmendje se ZPS-ja po përpiqet ta bindë gjykatën përmes “agumentit të shoqërimit”. Por sipas tyre ky lloj argumenti është i paqëndrueshëm meqë, prania e tyre e edhe takimi me pjesëtarë të UÇK-së kudo nëpër Kosovë nuk është provë e mjaftueshme se ata kanë qenë në dijeni për kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë.