Arbëri

Më 2023, gjysma e kontratave u negociuan. Ngrihet dyshim për keqpërdorim buxheti

Komuna e Prishtines

Komuna e Prishtinës, pasi që në procedurë të rregullt e pati shpallur të papërgjegjshme një kompani, ka lidhur më pas dy kontrata me të, nëpërmjet procedurës së negocimit. Në shoqërinë civile kanë thënë se kontratat e këtilla e shkelin konkurrencën dhe lënë mundësi për keqpërdorim

Komuna e Prishtinës e ka shpallur të papërgjegjshme kompaninë “Schafberger Jr. Gmbh”, gjatë procedurës së rregullt të prokurimit në tenderin për pastrimin e objekteve të Kujdesit Parësor Shëndetësor. Por, dy herë radhazi, nëpërmjet procedurës së negocimit, ka lidhur kontratë me të.

Ani se tenderin e rregullt e ka anuluar dhe ka ngritur dyshime se kompania ka shkelur Ligjin e Prokurimit publik, gjashtë ditë pas Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshjen me të në vlerë prej 95 mijë eurosh. Kontrata e dytë është lidhur të mërkurën për një periudhë tremujore dhe me çmim gati pesë mijë euro më shumë.

Në Komunën e Prishtinës dhe në kompaninë përfituese nuk u janë përgjigjur pyetjeve rreth kontratave.

Egzona Kozhani, hulumtuese në organizatën “Demokraci Plus”, ka thënë se në nëpërmjet praktikave të këtilla, mund të favorizohen kompani të caktuara.

“Kur kemi të bëjmë me lëndën e njëjtë, gjithmonë ekziston ky dyshim që është favorizuar ai operator ekonomik, nëse në rastin e parë është shpallur i papërgjegjshëm, por duhet të shikohet nëse janë ndryshuar apo jo kriteret, sepse nëse kriteret janë të njëjta ose nuk ka vlerësim të mirë të ofertave ose nëse kanë ndryshuar kriteret, atëherë ju kanë përshtatur këtij operatori ekonomik që të fitojë”, ka thënë Kozhani.

Komuna e Prishtinës është në mesin e autoriteteve kontraktuese që ka lidhur numrin më të madh të kontratave njëburimore që nga viti 2019, ka theksuar një raport i organizatës Demokraci Plus.

Për gjashtë muaj të vitit 2023, ajo ka lidhur dhjetë kontrata në vlerë totale prej rreth 2.3 milionë eurosh.

Para Prishtinës, lider për kontrata të tilla është Korporata Energjetike (KEK), me 24 kontrata të lidhura brenda gjashtë muajve.

E sipas një analize të Iniciativës për Progres, vitin e kaluar nga 1 mijë e 79 kontrata, 554 janë lidhur me negocim.

Valmir Ilazi, nga Iniciativa për Progres, ka thënë se me këto kontrata, institucionet janë duke e eliminuar konkurrencën.

“Autoritetet kontraktuese po bëjnë një eliminim të konkurrencës, duke mos iu dhënë hapësirë edhe operatorëve të tjerë dhe kjo ndryshe përkthehet edhe në çmime më të shtrenjta, sepse sikur të kishte pasur procedura të hapura do të kishte konkurrencë dhe rrjedhimisht do të kishte edhe çmime të lira dhe më të mira, qoftë për punë, qoftë për shërbime, qoftë për furnizime”, ka thënë Ilazi.

Në shumë institucione, Auditori i Përgjithshëm ka evidentuar si mangësi lidhjen e kontratave një burimore.

E në Iniciativën për Progres kanë thënë se autoritetet kontraktuese keqpërdorin procedurën e negociuar në shumë raste.

“Nëse e krahasojmë me vitin 2021 kemi pothuajse 100 për qind rritje të cilat autoritetet kontraktuese, në nivel vendi jam duke folur, të cilat e kanë rritur përdorimin e këtyre negociatave me operatorët ekonomikë. Ndërsa vetëm në vitin 2022 kemi 48 për qind – është rritur numri i kontratave”, ka thënë Ilazi.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian (KE), Kosova është kritikuar për numrin e lartë të aktiviteteve të prokurimit të cilat janë zhvilluar nëpërmjet procedurës me negocimit. Sipas raportit të vitit 2023, afër 22 për qind e kontratave janë lidhur pa prokurim formal dhe proces tenderimi.