Arbëri

Me vonesë nisin punimet për bazamentin e “Newbornit”, komuna thotë përfundojnë në mes të korrikut

Shtatë shkronjat e monumentit që simbolizon pavarësinë e Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë pa bazamentin e shumë premtuar.

Tek pas dhjetë vjetësh nga vendosja e “Newbornit”, sivjet po synohet që monumenti të ketë bazën e tij, raporton KOHA.

Gjatë muajit shkurt, Komuna e Prishtinës ka rrethuar hapësirën para monumentit për të nisur punimet, të cilat është dashur të kryhen deri në fillim të prillit sipas kontratës së nënshkruar me operatorin ekonomik.

Por, këto punime kanë nisur vetëm këtë javë.

Disa qytetarë mendojnë se vonesat në përfundimin e këtij projekti janë si pasojë e mos menaxhimit të mirë nga komuna.

Të tjerë mendojnë se pandemia ka ndikuar që ndërtimi i bazamentit të mos përfundojë ende.

Por, komuna thotë se nuk kanë mundur të punojnë, pasi deri tash nuk kanë marrë leje nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve.

“E kemi dërguar atje një shkresë e cila është dashur të aprovohet dhe derisa është aprovuar, nuk kemi mundur t'i fillojmë punimet”, ka thënë zëdhënësja e komunës, Miranda Mullafazliu.

Sipas Mullafazliut, punimet pritet të përfundojnë më së largu deri në mes të korrikut.

“Me një plan të punës të cilin e ka hartuar operatori ekonomik parashihet që në fillim ose në mes të korrikut të përfundojnë punët”.

Ndërtimi i bazamentit të “Newbornit” ishte paralajmëruar që prej vitit 2018, atëherë kur shteti dhe monumenti mbushën 10 vjet.