Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mehani i VV-së u rrah në Skenderaj, Lushtaku thotë se qytetarët reaguan pas etiketimit ‘Sami Serbia’

Sami Lushtaku & Hysni Mehani / KOHA

Sami Lushtaku & Hysni Mehani / KOHA

Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Skenderaj, Hysni Mehani, ka thënë se është sulmuar nga kryetari i kësaj komune që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sami Lushtaku, dhe atë që e ka quajtur banda e tij. Por në një reagim më vonë, Lushtaku ka mohuar se e ka sulmuar Mehanin, porse ka thënë se qytetarët reaguan pas etiketimeve "Sami Serbia".

Rasti fillimisht u publikua nga profili i anëtarit të LVV-së, Bahri Zabeli, shkrim që u postua në emër të Mehanit, ku ai lajmëronte se është rrahur nga “banda e Sami Lushtakut” dhe se ia kanë marrë telefonin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më pas reagoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se Mehani u sulmua kur po pinte kafe me ish-deputeten e Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë në një kafene të Skenderajt. Ata kanë publikuar edhe foton se si duket Mehani, i cili shihet i gjakosur në fytyrë.

“Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së”, thuhet në reagim.

FOTO: Lëvizja Vetëvendosje / Facebook

E Lushtaku në reagim ka thënë se pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi ta sulmonte në Skenderaj. Por shtoi se etiketimet si “Sami Serbia” nuk i durojnë më qytetarët, prandaj edhe reaguan, duke aluduar se nuk ishte ai që ka sulmuar.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si "Sami Serbia" qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Sipas VV-së, Mehani fillimisht është goditur me grusht e më pas edhe gotë në kokë. Sekretari i Qendrës, Bahri Zabeli, u mundua ta qetësonte situatën, por sipas VV-së, edhe ai u sulmua nga shoqëruesit e Lushtakut. Mehani aktualisht po merr trajtim mjekësor.

“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor”, vijon reagimi i tyre.

Sipas partisë, ky sulm fizik tregon se këta njerëz nuk e kanë vendin në institucione.

“Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti. Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës”, vazhdon reagimi i tyre.