Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky sfidon Putinin për Kostyantynivkan: Nëse e keni nën kontroll, të takohemi aty

Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është përgjigjur pretendimeve të presidentit rus Vladimir Putin se qyteti Kostyantynivka në rajonin e Donetskut është nën kontrollin rus, duke i quajtur ato të pavërteta dhe të fabrikuara për të tërhequr vëmendje mediatike.

Në një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Zelensky u shpreh me ironi duke e ftuar Putinin të takohet në atë qytet, nëse ai vërtet është nën kontrollin rus.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kjo nuk është e vërtetë. Është një tjetër gënjeshtër ruse, e shpikur vetëm për të krijuar lajm. Nëse Kostyantynivka do të ishte realisht nën kontrollin rus, Putini nuk do të kishte asnjë problem të takohej me mua atje për të gjetur një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Zelensky.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, Andrij Kovalev, deklaroi për “Ukrainska Pravda” se disa grupe këmbësorie ruse kanë depërtuar në qytet dhe situata është e vështirë, por Kostyantynivka vazhdon të mbetet nën kontrollin e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ai shtoi se forcat ukrainase po mbajnë pozicionet e tyre dhe po kryejnë operacione kundër-sabotimi.

“Më 3 korrik, armiku ndërmori 11 sulme në këtë drejtim, por pa sukses. Përkundrazi, pala ruse përsëri po përhap dezinformata dhe gënjeshtra”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, pretendoi se qyteti ka rënë nën kontrollin rus, duke e cilësuar Kostyantynivkan si një nga pikat kryesore të mbrojtjes së Ukrainës në rajonin Sloviansk-Kramatorsk-Kostyantynivka.

Këto qytete përbëjnë të ashtuquajturin “brezi i fortesave”, i cili mbetet pengesë e madhe për synimin afatgjatë të Moskës për të kontrolluar të gjithë Donbasin. Zona ka qenë skenë e luftimeve të ashpra dhe, sipas raportimeve, forcat ruse kanë depërtuar në qytet gjatë muajit të kaluar.