Arbëri

Mërgimtarët priten me thirrjen për kujdes në komunikacion e respektim masash

Pritje më ndryshe se herëve të kaluara u është bërë mërgimtarëve që erdhën këtë të enjte në Aeroportin e Prishtinës.

Përveç familjarëve, ata i ka pritur edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla.

Ajo aty doli së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Gërvalla, duke kërkuar nga ta që të respektojnë masat anti-COVID dhe të kenë kujdes në komunikacion, tha se presin që këtë sezon veror të vijnë mbi 1 milion mërgimtarë në Kosovë.

“Lusim që të gjithë të jemi të kujdesshëm për shëndetin e tyre dhe për shëndetin e më të dashurve të tyre dhe të respektojnë masat të cilat janë ende në fuqi. Lusim gjithashtu po ashtu që të gjithë me shumë kujdes të sillemi së bashku në komunikacion, të sillemi gjithë së bashku në raport me njëri-tjetrin”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Ministrja tha se ka përfunduar faza e pandemisë, teksa një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pohoi se në shtator presin një valë tjetër të infektimeve.

Derisa drejtori i Policisë së Kosovës tha se tashmë janë të përgatitur për të përballuar fluksin e madh të mërgimtarëve.

“Jemi në periudhën ku do kemi më shumë qarkullim edhe njerëz që vinë në Kosovë. Policia është e përgatitur edhe në aspektin operacional dhe në aspektin e masave teknike që na mundësojnë të kemi qarkullim të sigurt”, është shprehur Mehmeti.

Sipas Policisë, që nga 1 korriku e deri të enjten në Kosovë përmes aeroportit kanë hyrë mbi 80 mijë qytetarë nga vende të ndryshme, derisa deri më 12 korrik nga aeroporti e nga pikat kufitare kanë hyrë mbi 500 mijë persona.