Arbëri

MFPT-ja me vlerësime të kundërta rreth një dokumenti të Komunës së Podujevës

Vlerësime krejt të kundërta ka dhënë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Rregulloren për përkujdesje dhe mbrojtje të fëmijëve që e ka nxjerr Komuna e Podujevës. Megjithëse kur e kishte bërë vlerësimin e ligjshmërisë e konsideruar të kundërligjshme një dokument të tillë, KOHËS i ka dhënë përgjigje krejt tjetër. Zëdhënësi i MFPT-së, Muharrem Shahini, ka thënë se çështja është te buxheti.

“Departamenti Ligjor me datë 11 qershor 2021 ka pranuar një akt komunal të Komunës së Podujevës për shqyrtim të ligjshmërisë. Akti komunal në fjalë, ka qenë Rregullorja Nr. 01-560/03-045216/21 për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës e miratuar me datë 4 qershor 2021. Në nenin 33 të këtij akti administrativ, Komuna e Podujevës ka parashikuar planifikimin e një pjese të buxhetit të kësaj organizate buxhetore në mënyrë të përgjithësuar, e që për qëllim do të ketë reflektimin e nevojave për ndarjen e mjeteve financiare për fëmijët e kësaj Komune”, ka thënë Muharrem Shahini.
sipas tij, pas shqyrtimit të këtij akti komunal dhe konsultimit me Departamentin e Buxhetit, Departamenti Ligjor i MFPT-së ka evidentuar se masa e përcaktuar me aktin komunal, në atë fazë, nuk ka pasur kosto buxhetore.

“Rrjedhimisht, MFPT i ka rekomanduar Komunës së Podujevës që gjatë zbatimit të veprojë në përputhje me dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 07/L-041 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Konstatimi i Departamentit Ligjor në këtë rast ka qenë që, akti administrativ i Komunës së Podujevës nuk është në kundërshtim me dispozitat në fuqi – me kusht që rekomandimet e Ministrisë, të merren parasysh nga Komuna gjatë procedimit të mëtutjeshëm”, ka theksuar ai.

Por e kundërta nga kjo çka ka thënë Shahini figuron në shkresën e të njëjtës Ministri kur ishte bërë vlerësimi i Ligjshmërisë.


“Komisioni ministror për shqyrtimin dhe vlerësimin e ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë së akteve komunale, ka shqyrtuar aktin në fjalë dhe bazuar në opinionin e datës 24.05.2021 e Zyrës ligjore të Zyrës së kryeministrit, konstatoi se akti i tillë nuk është në harmoni me Ligjin për mbrojtjen e fëmijës nr. 06/L-084. Sipas kërkesës tonë, Zyra ligjore e kryeministrit ka bërë analizimin e rregulloreve për mbrojtjen e fëmijëve që po i nxjerrin komunat dhe ka dal me opinion: se sipas Ligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës nuk është paraparë nxjerrja e rregulloreve të tilla nga ana e komunave”, thuhet në shkresën e MFPT-së. “Zyra ligjore është e mendimit se duke marrë parasysh se Ligji nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës nuk ka paraparë nxjerrjen e rregulloreve të tilla nga ana e komunave, kuvendet komunale nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e tyre përveç atyre të dhëna me nenin 17 pika K të Ligjit nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, ku referohet vetëm ‘ofrimit të shërbimeve familjare dhe shërbimeve të tjera të mirëqenies sociale për kujdesin fëmijëror”.

Kjo përgjigje e MFPT-së i ka detyruar këshilltarët komunalë të Podujevës që në seancën e fundit ta shfuqizojnë Rregulloren për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës.

Dokumenti:

Shkarko dokumentin