Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar të martën se do ta shqyrtojë vendimmarrjen e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të 20 qershorit, në të cilën është caktuar ushtruesja e detyrës së drejtorit të këtij instituti.
Në një reagim në Facebook, MASHTI ka thënë se nga dy anëtarë të Këshillit Drejtues ka marrë njoftim zyrtar se kanë kërkuar shtyrjen e kësaj mbledhjeje në mungesë të materialit paraprak për shqyrtim, por se ajo është mbajtur gjithsesi. Në njoftim të MASHT-it thuhet se sipas njoftimit të këtyre anëtarëve, nuk ka pasur kuorum për marrjen e vendimeve nga KD-ja.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton opinionin publik se dje, me datë 23.06.2025, pa pasur një njoftim paraprak, përmes emailit zyrtar ka pranuar njoftimin nga Instituti Albanologjik se më datë 20.06.2025 është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues. Në këtë mbledhje, përveç pikave të tjera, është vendosur për caktimin e u.d. drejtorit të Institutit Albanologjik – Prishtinë. Gjithashtu, MAShTI ka pranuar njoftimin zyrtar dhe shqetësimin e dy anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Ministrinë se, në mungesë të materialit paraprak për shqyrtim, kanë kërkuar shtyerjen e kësaj mbledhjeje. Përkundër kësaj kërkese, ata janë të informuar se mbledhja është mbajtur, dhe sipas njoftimit, nuk ka pasur kuorum për vazhdimin e saj dhe për marrjen e vendimeve të ligjshme nga Këshilli Drejtues”, thuhet në njoftim të Ministrisë.
Kjo ministri ka shtuar se pas pranimit të të gjitha informatave dhe dokumenteve zyrtare, do ta shqyrtojë vendimmarrjen dhe do të njoftojë institucionet e zyrtarët përgjegjës.
Ndërkaq në njoftimin e Institutit Albanologjik e 20 qershorit, u tha se pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues e ka caktuar Meliza Krasniqin, ushtruese detyre e drejtoreshës së Institutit Albanologjik. Krasniqi tek ka falënderuar Këshillat për besimin dhe mbështetjen ka thënë se do ta ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjen e drejtorit të ri “duke vazhduar me përkushtim punën kërkimore dhe institucionale”.
E Bashkim Lajçi, anëtar i Këshillit Drejtues, po më 20 qershor pati kundërshtuar vendimin duke thënë se sipas rregullores së punës së KD-së së Institutit përcaktohet që për mbajtjen e mbledhjeve nevojitet kuorumi prej katër anëtarëve, e se sipas tij, në mbledhje kanë marrë pjesë tre anëtarë.
“Rrjedhimisht, legjitimiteti i asaj mbledhjeje dhe çdo vendimi të marrë prej saj është juridikisht i pavlefshëm, pasi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregulloren në fuqi. Në cilësinë time si anëtar i Këshillit Drejtues, por edhe si studiues, konsideroj se interesi ynë i përbashkët duhet të jetë avancimi shkencor, nxitja e hulumtimeve të reja dhe respektimi i integritetit akademik”, ka shkruar ai në Facebook tek pati paralajmëruar ankesën në Ministrinë e Arsimit.