Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka njoftuar se me fillimin e reshjeve të borës, operatorët e mirëmbajtjes së rrugëve janë aktivizuar dhe ndodhen në gjendje të plotë gatishmërie për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas Ministrisë, institucionet përgjegjëse janë të përgatitura që gjatë gjithë sezonit dimëror të sigurojnë kalueshmërinë e rrugëve dhe funksionimin normal të komunikacionit.
Megjithatë, MMPHI-ja u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, respektim të rregullave të trafikut dhe përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike, me qëllim të shmangies së aksidenteve dhe lehtësimit të qarkullimit rrugor.