Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MINTI paralajmëron masa nëse ka luhatje të pajustifikueshme të çmimit të naftës

Ministria e Industrise

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se po i vëzhgon me vëmendje të shtuar çmimin e derivateve të naftës nga operatorët ekonomik në Kosovë.

Në njoftimin e MINTI-t thuhet se në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifkueshme të çmimeve, atëherë do të vlerësohet mundësia e marrjes së vendimit përmes së cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe do të caktohen edhe masa të tjera mbrojtëse për produktet e naftës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga MINTI-i thuhet po ashtu se Kosova është vend importues edhe i naftës dhe lëvizjet e çmimeve ndërkombëtare reflektohet por këto lëvizje të çmimeve duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të ligjit përkatës.

“Kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive përgjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren. Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës, ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

MINT-i ka thënë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut  i ka intensifikuar inspektimet ndaj operatorëve ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës në të gjithë vendin.

"Madje edhe sot me katër (4) ekipe. Kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive dhe përgjatë ditëve në vijim, me ç’rast hartohen edhe raporte në baza ditore të inspektimeve në terren ndaj operatorëve ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës me fokus te çmimet".

Kjo Ministri ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi ose mashtrim të mundshëm që mund të vërejnë.

Viteve të fundit, me vendim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është kufizuar marzha e fitimit për tregtarët e naftës për të shmangur abuzimet me çmime në treg.