Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka folur lidhur me pretendimet e Prokurorisë për qëllimin e përbashkët kriminal të të akuzuarve në këtë rast gjyqësor.
Ai tha se në dëshminë e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të qëllimit kriminal siç pretendohet në aktakuzë.
“Në qoftë se të akuzuarit kanë pasur një synim të përbashkët kriminal për të kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë, Zyrapi do të kishte pasur dijeni për këtë çështje. Por, ai ka hedhur poshtë atë se ka ekzistuar një synim i tillë. ZPS-ja ju ka thënë që ai ishte një dëshmitar i besueshëm. Si mundet një gjykues i arsyeshëm i fakteve të arrijë në një përfundim tjetër të ndryshëm nga dëshmia e z. Zyrapi, i cili krijon dyshime të arsyeshme lidhur me argumentet e ZPS-së”, ka thënë ai.
Mishetiq ka pyetur se si mund të gjejë përputhje ZPS-ja midis qëndrimit të saj se drejtori të shumta në Shtabin e Përgjithshëm zbatonin qëllimin e përbashkët kriminal të përbashkët, ndërkohë që personi përgjegjës i këtyre drejtorive nuk pretendohet të ketë bërë një gjë të tillë dhe si ai mund të mos ketë qenë në dijeni të këtij qëllimi të kriminal përbashkët nëse këto drejtori ishin të varura nga ai.
Sipas Mishetiqit, ZPS-ja duke pranuar se Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së në mënyrë të qartë pranon se vendimmarrja kolektive edhe në rastin e politikës ndaj bashkëpunëtorëve nuk e bën automatikisht çdo anëtar të shtabit të përgjithshëm si pjesë të NPK-së.
“Deri më tani, jurisprudenca e tribunaleve ndërkombëtare ka konkluduar se NATO-ja ka ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë më 99-ën në përgjigje të një NPK-je serbe e cila filloi jo më vonë se tetori i 98-ës. ZPS-ja ju kërkon juve të arrini në përfundimin bazuar në deduksione se UÇK-ja kishte ndërmarrje të përbashkët kriminale muaj apo vite më parë dhe jo më vonë se marsi i 98-ës. Më vonë, TPNJ-ja ka arritur në përfundimin se udhëheqësi serb, presidenti Milan Milutinoviq nuk kishte përgjegjësi penale për ngjarjet në Kosovë më ‘98 e 99 për shkak se ai ishte një figurë politike që nuk ka pasur kontroll mbi forcat e RFJ-së dhe në këtë mënyrë nuk ka dhënë kontribut të ndjeshëm ndaj NPK-së. ZPS-ja po ju kërkon që të arrini në përfundimin se pavarësisht se presidenti serb, i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi masive për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, vetëm duke u bazuar në deduksion ju duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës, i UÇK-së, një grup i armatosur jo shtetëror i cili kishte ekzistuar vetëm për disa muaj ka pasur kontroll efektiv dhe bart përgjegjësi penale. Ky rezultat është shtrembërim i historisë dhe padrejtësi ligjore dhe historike”, ka thënë ai.