Arbëri

Mishetiq: Selimi ka spekuluar se Thaçi ka pasur lidhje me komunikatën 59, s’duhet përdorur si provë

Luka Mishetiq

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq

Avokati Luka Mishetiq tha se për klientin e tij, Hashim Thaçin, nuk ka pasur prova që e lidhin atë me komunikatat apo deklaratat publike të UÇK-së.

Megjithatë, ai tha se janë dy prova që e bëjnë një gjë të tillë e që njëra është një deklaratë e Rexhep Selimit për Prokurorinë lidhur me komunikatën 59, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“ZPS-ja arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre se Hashim Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e komunikatave. E para; është një intervistë që ka dhënë Rexhep Selimi për ZPS-në ku ai pretendon se Hashim Thaçi ka pasur njëfarë lidhje me komunikatën 59. Pretendimet e Selimit nuk mund të merren parasysh për shumë arsye”, tha Mishetiq.

Madje, Mishetiq tha se për Prokurorinë, Selimi ka thënë që nuk ka pasur dijeni se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së.

“Thjesht ka hamendësuar. Dhe mbi të gjitha pretendimet e tij për komunikatën 59 janë të pakonfirmuara dhe Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontestojë dëshminë e zotit Selimi kur janë bërë kundërpyetjet në lidhje me këtë”, tha ai.

Rrjedhimisht, Mishetiq tha se sipas rregullave, trupi gjykues nuk duhet ta përdorë këtë provë kundër Thaçit.

Në dosjen e tij përfundimtare, Selimi sipas Mishetiqit, ka pranuar se nuk ka pasur dijeni se kush i ka hartuar komunikatat dhe thjesht ka spekuluar në intervistën për ZPS-në.

Ndërsa, prova e dytë, sipas Mishetiq, që lidhet me këtë pjesë është një pjesë e librit të shkruar nga Nuhi Bytyqi.

Në komunikatën 59 të UÇK-së, Gani Geci akuzohej si “kolaboracionist” dhe i lidhur me vrasjen e Abedin Rexhës. Geci vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit e komunikatës të zbulohen.

VIDEO:

Lexo përditësimet tjera
Hashim Thaci

Mbrojtja e Hashim Thaçit paraqet fjalët përmbyllëse në Hagë

•E mërkurë, 11 shkurt: Mbrojtja e Hashim Thaçit shpalos fjalën përfundimtare, nis paraqitja e Kadri Veselit•E...