Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka ngritur shqetësime lidhur me “kapjen” e Këshilli Prokurorial i Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm, por në drejtim të gabuar për funksionimin demokratik të vendit.
Në një deklarim për mediat të martën pas një aksioni simbolik pranë Prokurorit të Shtetit, Molliqaj ka thënë se mbështetja e papritur e zyrtarëve qeveritarë ndaj një institucioni të pavarur, siç është Këshilli Prokurorial, sipas tij, është tregues i ndikimit politik mbi të.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka theksuar se në të kaluarën, ky institucion ka qenë vazhdimisht objekt kritikash nga krerët shtetërorë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten dhe drejtues të Kuvendit.
“Ju e dini se çdo zhvillim i Këshillit Prokurorial të Kosovës është sulmuar nga ministra, nga kryeministri, nga presidentja, nga kryetari i Kuvendit në vazhdimësi. Hera e parë dhe e vetme që e mbështetën është zgjedhja e kryetarit të ri apo kryesuesit të ri të KPK-së. Pse është i rëndësishëm ky vendim? KPK-ja i ka dy elemente thelbësore që janë të dëshiruara të kontrollohen nga Vetëvendosja. E para: Organizon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Siç edhe e dini, që katër vjet Kosova është pa kryeprokuror për herë të parë në historinë e këtij institucioni, për shkak se kryeministri Albin Kurti ka dalë në Kuvendin e Kosovës dhe ka deklaruar publikisht që nuk do të zgjidhet personi, i cili është rekrutuar gjatë një procesi në Këshillin Prokurorial. Pra, nuk është refuzuar në mënyrë demokratike, procedurale, por është refuzuar politikisht, publikisht. E dyta: Rekrutimi i kryeprokurorëve, i cili është po ashtu gjë shumë e rëndësishme”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka shprehur shqetësim se zgjedhja e një presidenti të ri, që sipas tij do të ishte i afërt me Vetëvendosjen, do të mund të përforconte këtë ndikim, pasi presidenti ka rol kyç në dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfshirë edhe ata të Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Në vazhdimësi institucionet publike janë nën kontrollin e pushtetit. Dhe ju e keni parë: prej Ibër-Lepencit, KEK-u, Policisë, AKI-së, e tash Prokurorisë, në vazhdimësi institucionet që kapen nga pushteti janë duke bërë shkelje të ndryshme dhe dëme të ndryshme. Pra, kjo nuk është thjesht një kritikë sipërfaqësore, por ky është një shqetësim serioz me atë që po ndodh. Dhe kjo e merr një peshë edhe më të madhe në kontekstin politik në të cilin po ndodhemi. Zgjedhja e një presidenti që është me vulën e Vetëvendosjes (ashtu siç po pretendon Vetëvendosja ta bëjë) do të jetë halka e fundit, e cila e legjitimon çdo vendim të Këshillit Prokurorial: qoftë zgjedhjen e prokurorëve, qoftë zgjedhjen e kryeprokurorit e të ngjashme. Ju e dini që pa dekretimin e Presidentit këto gjëra nuk mund të ndodhin. Arsyeja kryesore pse Albin Kurti e do presidentin e vet është ta zgjedhë kryeprokurorin për shtatë vjet. Sepse organi i akuzës është duke i munguar”, ka theksuar ai.
Molliqaj bëri thirrje për reagim nga akterët politikë dhe shoqëria civile, për të mbrojtur, siç tha, pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin demokratik të shtetit.
“I bëj thirrje të gjithëve që janë të interesuar për shtet demokratik, funksional, organe të pavarura, të reagojnë me kohë dhe të kundërshtojnë e parandalojnë një kapje të tillë”, ka thënë ai.