Arbëri

Muhamet Musliu dënohet me 1 vit burgim me kusht për nxitje të përçarjes mes grupeve fetare

Muhamet Musliu

(E përditësuar) -  Muhamet Musliu është dënuar me një vit burgim me kusht.

Musliu e ka pranuar fajësinë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.


Muhamet Musliu pranon fajësinë për nxitje të përçarjes mes grupeve fetare

Muhamet Musliu e ka pranuar fajësinë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Specialja e akuzon Musliun se ka nxitur përçarje mes grupeve fetare (duke shpërndarë narrativa ekstremiste si ato të ISIS-it) që jetojnë në Kosovë përmes Facebookut. Ai ka lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale.

Në seancën për shqyrtimin e pranimit të fajësisë, prokurorja Fikrije Fejzullahu, ka thënë se propozimi është që Musliu të pranojë dënimin me kohëzgjatje prej një viti me kushtin që ai të mos kryejë më vepër penale.

Avokati i të pandehurit, Visar Rrecaj ka thënë se mbrojtja e përkrah në tërësi marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Ka shtuar se kanë ardhur në përfundim që ta pranojnë dënimin prej 1 viti me kusht. Kërkoi ndërprerjen e paraburgimit meqë tashmë, sipas tij, nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e Musliut në paraburgim. Ka thënë se klienti i tij është i njoftuar në detaje për përfitimet dhe pasojat e pranimit të fajësisë.

Musliu e pranoi fajësinë edhe para gjykatës, si dhe e ka përkrahur aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga gjykata.

Gjyqtari Vesel Ismaili aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Tha se janë plotësuar kriteret që i përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Prokurorja Fejzullahu tha se pajtohet me propozimin e mbrojtjes dhe kërkoi që paraburgimi t'i ndërpritet menjëherë.

Në orën 12 gjykata do të vendosë edhe për shpalljen e aktgjykimit dhe lidhur me propozimet për ndërprerje të paraburgimit.

Më 14 gusht, Prokuroria Speciale njoftoi për arrestimin e Musliut dhe të A.B., për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ata akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstremiste fetare, sipas metodave të propagandës së ISIS-it.

Sipas aktakuzës Muliu ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, duke publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, foto dhe video të personave të radikalizuar dhe duke shfaqur në publik thirrje për ekstremizëm fetar.

Ndërsa, A.B, akuzohet se ka bërë thirrje që të respektohen ligjet e “Sheriatit”, e të kundërshtohet sistemin demokratik, simbolet shtetërore dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, A.B, nga vitit 2019 e deri më 22.05.2025 përmes rrjetit social “Facebook”, në profilin e tij me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse, përmes së cilave ka bë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.