Në episodin e 33-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është një prej ekspertëve më eminent të ekonomisë, Muhamet Mustafa. (Pjesa e dytë)
Mustafa rendit arsyet e mundshme pse Rrahman Morina doli kundër Kosovës
Në podcastin “PIKË”, një prej veprimtarëve politik gjatë Jugosllavisë, Muhamet Mustafa ka folur për kthesën e madhe politike të Rrahman Morinës dhe rolin e tij në periudhat vendimtare për Kosovën në fund të viteve ’80.
Duke biseduar me publicistin Veton Surroi, Mustafa ka thënë se Morina nuk kishte kapacitetin analitik për ta kuptuar situatën e atëhershme politike dhe rolin e rrezikshëm të Serbisë.
“Rrahmani... nuk po di, diçka ka pasë ndonjë hall të madh. Po edhe si disa njerëz tjerë kanë mujt mos me kuptu kontekstin që politika e Titos herë do kurdo nuk mund me dështu krejt, edhe mandej e kthej në gjendjen e përparshme, ka pasë disa njerëz që kanë qenë naivë në këtë situatë. Edhe ai mendoj që nuk ka, ai ka qenë djalë shkodran, që thojshim na, trim me tona e krejt, mirëpo nuk ka qenë bash naj analist i hollë i situatave e problemeve, plus ka mujt me qenë edhe naj shantazh. Ai e ka pasë grua një punëtore të policisë në nivelit të lartë edhe mandej nuk po aludoj se keq o me fol, nuk di a ka pas faj gruaja e tij, por, supozimet po them”, ka thënë Mustafa.
Sipas Mustafës, kthesa e Morinës i hapi rrugë ndikimit serb në institucionet e Kosovës.
“Ai e hapi derën. U hap dera që Serbia të vinte në terren, ndërsa edhe brenda Komitetit të Prishtinës filluan të riktheheshin njerëz të lidhur me strukturat serbe”, deklaroi ai.
E Surroi theksoi se veprimet e Morinës në momentet kritike ishin në dëm të Kosovës.
“Në momentet më të rëndësishme, ai u drejtua plotësisht kundër Kosovës”, deklaroi ai.
Mustafa po ashtu u shpreh se Morina ka kaluar shumë keq në fund të jetës së tij dhe u varros në rrethana që, sipas tij, e reflektuan tragjedinë e rrugës që ai kishte ndjekur.
Mustafa: Demonstratat e ’81-shit ishin të dëmshme për Kosovën
Një prej veprimtarëve politik gjatë Jugosllavisë, Muhamet Mustafa, ka thënë se demonstratat e vitit 1981 – pavarësisht se e rritën vetëdijen ndërkombëtare për problemet në Kosovë – në thelb ishin të dëmshme për zhvillimet politike të vendit.
Në një bashkëbisedime në podcastin PIKË me Veton Surroin, Mustafa theksoi se protestat çuan në spostimin e shumicës së kuadrove me taban kombëtar, duke krijuar “varfërim të elitës politike”, çka më pas ndikoi drejtpërdrejt në dobësimin e pozitës së Kosovës brenda Jugosllavisë.
Sipas tij, pasojë e kësaj dobësie ishte edhe miratimi i amendamenteve kushtetuese që i dhanë Serbisë mundësinë të ndryshonte Kushtetutën e Kosovës.
Ai shtoi se në një skenar pa demonstrata, Kosova mund të kishte arritur të ruante strukturat e saj të mbrojtjes dhe autonomisë, ndërsa zhvillimet e ashpra në Jugosllavi mund ta kishin goditur vendin edhe më herët.
Mustafa theksoi se, në fund, “shpëtimi” i Kosovës erdhi kryesisht si rezultat i rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Mustafa rrëfen si i kuptoi shenjat e para të demonstratave të ’81-shit: Askush s’e mori me seriozitet
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, eksperti i ekonomisë dhe ish-veprimtari politik Muhamet Mustafa ka rrëfyer përvojat në periudhën para dhe gjatë demonstratave të marsit 1981, duke treguar detaje të panjohura për atmosferën, tensionet dhe sinjalet që paralajmëronin shpërthimin e protestave të studentëve.
Mustafa ka thënë se në fund të viteve ’70 kishte pasur tensione të nënshtruara dhe episode të orkestruara, të cilat, sipas tij, paralajmëronin mundësinë që situata të manipulohej. Ai përmendi një rast të vitit 1980 në Fushë-Kosovë, ku një shtëpi e shitur u shndërrua në xhami pranë një kishe, duke shkaktuar protesta të organizuara dhe presion mbi banorët.
Sipas Mustafës, problemet ishin të dukshme edhe në Qendrën e Studentëve. Ai tregoi se kishte shkuar personalisht për të parë kushtet në konvikte, mensë e banjo, të cilat i përshkroi si “shumë të këqija”. Mustafa u shpreh se gjendja ishte e tillë që “kushdo mujke me i çu studentët në protestë”.
Ai përshkroi edhe momentin kur mori lajmin për demonstratat e 11 marsit 1981. Pasi ishte thirrur nga drejtues të kohës që të dilte dhe të bisedonte me studentët, Mustafa u nis drejt Komitetit, ku u përpoq t’i bindte protestuesit të ktheheshin në Qendrën e Studentëve dhe të diskutonin kërkesat e tyre.
“Kur hymë brenda, i pyeta: çka po doni? Për kushtet pajtohesha krejtësisht, u thashë se do të përmirësohen. Por atëherë, dikush më erdhi te veshi e më tha: ‘Na po dojmë Republikë’”, rrëfeu Mustafa.
Ai u shpreh se në atë moment e kishte marrë si një deklaratë të papritur dhe të pamundur në atë kohë, duke menduar se mund të ishte edhe hajgare, por e konsideroi si një sinjal të hershëm të kërkesave politike që më pas do të artikuloheshin më qartë.
Mustafa tregoi se deri në orët e vona kishte tentuar dialog, por studentët “nuk ishin të disponum për bisedë”. Sipas tij, policia ndërhyri për t’i shpërndarë, ndërsa disa protestues u morën për intervistim por u liruan më pas.
Ai shtoi se në mbledhjen e Komitetit Krahinor më 12 ose 13 mars, u diskutua gjendja e rëndë sociale në Qendrën e Studentëve, por u la hapur edhe mundësia e ndërhyrjeve të jashtme që synonin destabilizimin e situatës në Kosovë.
Mustafa e përmbylli rrëfimin duke thënë se të gjitha këto ishin sinjale që nëse do të analizoheheshin me kujdes, “ish dashtë me u pa që mund të manipulohej dhe të shndërrohej në protestë të madhe”, por sipas tij, institucionet nuk treguan vëmendjen e nevojshme.