Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë s’ka qenë në situatë më të pafavorshme politike, teksa ka shtuar se i takon kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, njëherit kryetar i këtij subjekti politik, të gjejë zgjidhjen për dalje nga bllokada.
Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se fajin e kanë të gjitha partitë, por tha se fajin kryesor e bart Kurti.
“Fajin e kanë të gjithë, por fajin kryesor e VV-ja. Ajo që shihet me këta deputetë është se janë të padijshëm dhe të pamoralshëm. S’po kanë ide si të formojnë qeverinë, ndonëse i kanë numrat. Këta s’po kanë as sens të urgjencës që të ndryshojnë...”, ka thënë Muhaxhiri.
Ai u shpreh se partitë aktualisht kanë dallime shumë të mëdha, teksa tha se dallimet janë personalizuar mes liderëve të partive.
“Dallimet janë aq të mëdha, janë personalizuar. Nëse VV-ja me LDK-në nuk mundet, nëse s’mundet as me PDK-në e AAK-në, i mbetet vetëm Nisma dhe pakicat...(Lumir) Abdixhiku duket se s’ka interes, po të kishte mund t’i përgjigjej me ‘do të takohemi dhe mund të bisedojmë’”, ka thënë analisti politik.
Duke komentuar letrën e Kurtit dërguar Abdixhikut, Muhaxhiri ka shtuar se ajo dukej si “kolumne ku ishte marrë më të kaluarën që ta vendoste në një pozicion të pamoralshëm z.Abdixhikun”.
“Kurti i 2025-s nuk është ai i 2021-s. Tash as Abdixhiku s’është as ai që ka qenë. Ka ndërruar konteksti. Në 2021-n, Kurti s’i ka thënë ‘hajvan’ LDK-së. Ka pasur respekt për Isa Mustafën, Vjosa Osmanin...Vetëm një përqindje e vogël e ka bërë dallimin. Tash, natyrisht Kurti s’është i njëjti pasi për 4 vjet ka pasur pozicion tjetër edhe në aspekt ndërkombëtar...Mendoj se prej kohës kur VV-ja ka rritur përqindjen, kurrë s’ka qenë në situatë më të pafavorshme. S’është as afër 61 votave, që të zgjedhë kryeparlamentarin e Qeverinë”, ka thënë Muhaxhiri.
Analisti foli edhe për të ardhmen politike të Kurtit, ku u shpreh se ai po rrezikon shumë në këtë situatë të bllokadës.
“As Kurti s’e ka të sigurt se do t’i fitojë 41 për qind të votavë më. Besoj se do të fitojë më pak nëse shkojmë në zgjedhje, sepse tash edhe objektivisht, s’mund t’i fitojë 60-70 për qind pas kësaj që ka ndodhur. Nëse do të kishim shkuar në zgjedhje në tentativën e parë, në rregull, por pas 11 tentativave, është zbehur imazhi i Kurtit. Kurti shtyllën kryesore të pushtetit politik e ka në imazh. S’ka arritje në ekonomi, s’ka rritje të mëdha të pagave, imazhin e tij e ka shtyllë kryesore, inercionin e kapitalin personal e ka atë”, ka thënë ai.
Sipas Muhaxhirit, mund të parashihet fundi politik i Kurtit.
“Nëse i llogarit benefitet për katër vjet, s’ka pasur ndonjë progres. Çështja tjetër është se çfarë do të bëjë Kurti nëse Vetëvendosje bie në 35 për qind, e këto partitë e tjera do të rriten. S’ka garanci, edhe është ideja se Kurti po rrezikon shumë. Nëse vazhdon kjo, mund të jetë fillimi i z.Kurtit pasi tërë karrierën e ka bazuar në imazh”, u shpreh ai.