Arbëri

Muja: As VV-ja e as opozita nuk është e interesuar ta konstituojë Kuvendin

Basri Muja, profesor i shkencave politike, ka thënë se as partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e as partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë, nuk janë të interesuara për ta konstituuar Kuvendin.

Të premten, Hekuran Murati u bë emri i tretë që dështoi për t’u bërë kryeparlamentar. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje u propozua si emri i vetëm sot, dy ditë pasi në votim dështuan Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla. Ishte seanca e dytë e mbajtur pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i ka obliguar deputetët ta konstituojnë Kuvendin për 30 ditë e që për një kandidat të votohet më së shumti tre herë. Në aktgjykim, Kushtetuesja obligoi deputetët që kjo procedurë e votimit të jetë e hapur.

Sipas Mujës, të dyja blloqet e kanë parë që s’i kanë numrat për formim të Qeverisë andaj synojnë të zvarrisin sa më shumë deri në mbërritjen te faza tjetër.

“Mendoj se të dyja blloqet, edhe VV-ja, e edhe ky blloku i partive opozitare, nuk janë të interesuara ta konstituojnë sepse pastaj do të kalohet në stadin tjetër ku do të duhet brenda një afati strikt të formohet Qeveria dhe duke pasur parasysh se asnjëri bllok s’i ka 61 numrat e nevojshëm, mendoj se asnjëra palë s’është e interesuar dhe të dyja po kërkojnë ‘shkase’ për të mos arritur te faza tjetër”, ka thënë ai të premten në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Muja është shprehur pesimist se deputetët do ta respektojnë aktgjykimin që ta konstituojnë Kuvendin për 30 ditë.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.

Më pas lënda është adresuar në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme.