Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muja: Duket e vështirë që të kemi marrëveshje për president

Basri Muja

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se gjasat për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit janë të vogla, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme për dialog ndërmjet partive.

Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë mund të përfundojnë brenda disa orësh, por sfida kryesore do të mbetet zgjedhja e presidentit.

“Duket e vështirë të kemi marrëveshje. Kurti i ftoi partitë, e dimë epilogun e atyre takimeve. Gjasat nuk janë të mëdha që të kemi marrëveshje për president. Ndërsa konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë do të kryhet brenda orësh. Por problemi do të jetë çështja e presidentit”, ka thënë Muja në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai ka thënë se pavarësisht atmosferës së mirë që ka pasur në takim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, zhvillimet e fundit brenda LDK-së ku pritet të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm për një votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, e kanë vështirësuar arritjen e një kompromisi.

Muja theksoi se pret nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, të ofrojë platforma për diskutim dhe bashkëpunim me partitë e tjera. Shtoi se partitë duhet të heqin dorë nga një president partiak.

Edhe Baraliu: Institucionet mund të konstituohen në pako, por marrëveshja mbetet e vështirë Arbëri 3 j. më parë Baraliu: Institucionet mund të konstituohen në pako, por marrëveshja mbetet e vështirë

“Nëse insistohet në kandidat partiak, siç ka ndodhur deri tash, ajo pozitë duhet t’i takojë partisë më të madhe, por për demokracinë tonë nuk do të ishte e shëndetshme. Partitë duhet të heqin dorë nga një president partiak”, u shpreh ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme bëri të ditur se seancën konstituive do ta thërrasë në fillim të gushtit për t’u dhënë hapësirë partive për dialog. Haxhiu ka afat deri më 7 gusht për ta thirrur seancën. Pas seancës konstituive dhe formimit të qeverisë, Kuvendi ka 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin.