Arbëri

Muja: Nuk është krim nëse Lista Serbe e voton një qeveri të ish-opozitës

Njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, ka deklaruar se nuk do të ishte as krim nëse Lista Serbe (LS) do të votonte një qeveri të formuar nga ish-opozita, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, veçanërisht siç ka thënë ai, pasi LS-ja do të ishte pjesë e qeverisë meqë një ministri i takon pakicës serbe. Muja kujtoi se deputeti që ishte pjesë e kabinetit Kurti 2, Nenad Rashiq, ka deklaruar hapur se nuk do ta mbështeste një qeveri të ish-opozitës.

Muja ka thënë se PDK-ja nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe ndaj partive të tjera, duke e cilësuar si qasje pozitive, por e sheh të vështirë të ketë numrat për ta formuar qeverinë.

“PDK-ja i ka 24 mandate. Bashkë me LDK-në i bëjnë 43. Edhe tetë mandatet e Nismës me AAK-në bëjnë 51. Pra, do të duhen edhe votat e minoriteteve joserbe. Do të jetë e vështirë sepse kemi dy-tri deputetë që kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e një qeverie të ish-opozitës”, deklaroi Muja në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai shtoi se nuk ka asgjë të paligjshme nëse një qeveri e tillë merr mbështetjen e Listës Serbe në Kuvend.

“Sado që mendoj se nuk do të kishte qenë kurrfarë krimi nëse ajo qeveri do të votohej prej votave të Listës Serbe. Pjesëmarrja e saj në qeveri është kategori kushtetuese. Edhe nëse nuk janë pjesë e koalicionit, do të jenë pjesë e qeverisë përmes një ministri”, ka thënë ai.

Muja gjithashtu vlerësoi se skenat aktuale politike janë pjesë e një gare të hershme parazgjedhore, duke aluduar në zgjedhjet komunale dhe ato të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen së shpejti.

“Të gjitha partitë kanë hyrë në garën parazgjedhore. A do të mbahen zgjedhjet parlamentare njëkohësisht me ato komunale apo në fillim të vitit të ardhshëm, nuk e dimë ende”, shtoi ai.

Ai kritikoi zhvillimet aktuale në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar si “skena absurde” dhe ka thënë se nuk po i përcjell as mbledhjet për konstituimin e tij, meqë sipas tij, “nuk ka diçka që ia vlen të shihet.”

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se për ta formuar qeverinë i nevojiten garanci vetëm për 19 nga 20 deputetët e LDK-së, pasi pjesën tjetër të votave tashmë e ka të siguruar. Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka sugjeruar një qeveri kalimtare, duke theksuar se asnjëra palë nuk e ka shumicën për formim të qeverisë stabile.

Të premten dështoi për herë të 31-të konstituimi i Kuvendit.