Bind Skeja nga Qendra për informim dhe përmirësim social ka thënë se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës i sheh sinjalizuesit si armiq.
Ai ka theksuar se bordi i SHSKUK-së shpesh tenton të heshtë apo dënojë persona që përpiqen ta shpërfaqin gjendjen e brendshme.
“Sinjalizuesit SHSKUK-ja i sheh si armiq dhe në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i SHSKUK-së është e gatshme të shkojë dhe të tentojë në shumë raste të heshtë dhe dënuar persona që tentojnë ta shpërfaqin situatën si është e brendshme”, ka thënë ai në Konfront.
Skeja ka treguar nga përvoja se ka parë raste kur stafi nuk ka mundur të paraqesë ankesa për shkak të frikës.
“Kemi pa shumë raste të ndryshme, edhe unë prej përvojës e di që ka staf brenda që kanë probleme si me barna, situatën brenda me shërbime, por nuk e kanë mundësinë që të ankohen, të paraqesin ankesa brenda e lë më jashtë sepse frikësohen prej pasojave”.
Edhe
Kërkohet përgjegjësi institucionale për kushtet në Pediatri
Vitija për rastin në Pediatri: Ndërhyhet vetëm pasi alarmohet publiku
Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka deklaruar se problemet me kushtet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdojnë të jenë të pranishme, duke theksuar se institucionet reagojnë vetëm pasi rastet bëhen publike në media ose në rrjetet sociale.
Duke folur për gjendjen në Klinikën e Pediatrisë, Vitija përmendi disa raste të fundit që, sipas tij, dëshmojnë mungesën e kushteve bazike për pacientët.
“Para dy javësh e kemi pas një rast pak a shumë të njëjtë në Pediatri, një nënë që ankohej që nuk kishte kushtet e duhura për fëmijën e saj. Shtrati ishte i dëmtuar, ishte detyruar ta vendoste dyshekun në dysheme dhe aty ka fjetur fëmija. Para disa muajve kemi pasur edhe një rast tjetër, ku pikonte uji nga shiu në njërën prej dhomave në Pediatri”, ka thënë ai në “Konfront”.
Sipas Vitijës, probleme të ngjashme nuk kufizohen vetëm në Pediatri, por janë të pranishme në shumicën e reparteve të QKUK-së dhe në spitale të tjera në vend.
Ai pranoi se në disa klinika janë bërë rinovime, por vlerësoi se ato nuk e kanë ndryshuar gjendjen në tërësi.
“Ka disa rinovime nëpër disa klinika, të jemi korrekt, mirëpo probleme të ngjashme kemi pothuajse në të gjitha repartet. Standardi i kërkesave për një shëndetësi më të mirë është i ngjashëm me atë para vitit 2020. Jemi ende duke kërkuar kushte bazike për pacientët”, u shpreh Vitija.
Ai shtoi se veprimet e institucioneve ndërmerren vetëm pasi rastet bëhen publike.
“Merren veprime vetëm kur alarmohet publiku, kur rastet dalin në rrjete sociale dhe media”, ka thënë Vitija.
Ramaj: Situata me shtretërit në Pediatri s'është rast i izoluar
Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, ka thënë se rasti në Klinikën e Pediatrisë, për kushtet e këqija të shtretërve, nuk është rast i izoluar pasi sipas saj në secilën klinikë e spital gjendja me shtretërit është e njëjtë.
Edhe
QKUK-ja nis zëvendësimin e shtretërve në Pediatri
Ramaj ka theksuar se situata në Pediatri është “komplet situatë e zakonshme”.
“Çka ka ndodhë në klinikën e Pediatrisë e që nuk është që ka ndodhur një ditë, është vazhdimësi e dickaje që ka qenë gjithmonë ashtu dhe nuk është befasi. Për mua është befasi që sot shkon i tërheq 7 shtretër, thua se që Klinika e Pediatrisë, aneksi i vjetër, qenka një rast i izoluar dhe nuk qenka situatë e njëjtë në Gjinekologji ose Kirurgji. Me sigurinë e plotë e them se në secilën klinikë të QKUK-së dhe secilin spital rajonal gjendja e shtretërve është ashtu. Nuk ka asnjë befasi, nuk kemi pse të jemi hipokritë në mënyrën qysh reagojmë”, u shpreh ajo në Konfront.
Ramaj ka shtuar se për dy vjet SHSKUK-ja e ka pasur të njëjtin zotim në planin e punës, atë të krijimit të njësisë për dezinfektimin e shtretërve, dyshekëve e jastëkëve, por se nuk e ka përmbushur.
“Për këto dy vjet ka qenë objektivë krijimi i njësisë për dezinfektimin e shtretërve, dyshekëve dhe jastëkëve. Më 2021 në raport thuhet se kjo objektivë nuk është arritur, më 2023 përsëri ka qenë objektiv dhe në fund të planit të punës është thënë se nuk është realizuar. Tash nëse del SHSKUK thotë se ka marrë masa ndaj shërbimit teknik apo 3-4 infermierëve, cila është procedura standarde që e ke krijuar në SHKUK, kush është personi që e vendos? Sepse për ta bërë një ndryshim rrënjësor që sistemi të mësohet e si të sillet, e mëson institucioni”, ka thënë Ramaj.
Mujku: Në Pediatri s’lejohet as qëndrimi i baballarëve, kjo është problem në vete
Eksperti i çështjeve sociale, Vebi Mujku, ka thënë se përveç kushteve në Klinikën e Pediatrisë të cilat kanë mundur të shihen edhe në rastin e fundit që u raportua nga një nënë gjatë shtrimit të fëmijës së saj dyvjeçar, problem në vete është edhe që nuk lejohet qëndrimi i baballarëve në këtë klinikë.
Mujku në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se ka raste kur nënat gjidhënëse detyrohen ta marrin edhe atë foshnje me vete nëse po e trajtojnë ndonjë fëmijë në Pediatri sepse qëndrimi i babait nuk lejohet.
Kushtet në Klinikën e Pediatrisë, i quajti probleme të vjetra.
“Ajo çka po ndodhë në Pediatri nuk është nga sot, është problem shumë i vjetër. Edhe sa kam qenë drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë për nja 10 vjet jam ballafaquar me probleme të tilla me këtë Klinikë. Për vetë faktin që nuk lejohet të qëndrojnë baballarët por vetëm nënat, paraqet një sfidë në vete për ato nana. Pa marrë parasysh ajo nënë a ka fëmijë tjetër dhe mund ta ketë edhe një fëmijë në gjidhënie, detyrohet ta marrë me vete edhe atë foshnje aty”, ka deklaruar Mujku.
Ai shtoi gjithashtu se “nëse nëna e fëmijës është e sëmurë, detyrohet të caktohet një kujdestare por nuk qëndron babai i fëmijës”.
Edhe
SHSKUK-ja arsyeton listat e pritjes me mungesë të anesteziologëve, disa klinika e mohojnë
Mujku bëri të ditur edhe që në vitin 2022 kishte bërë kërkesë që një gjë e tillë të ndalet dhe që i ishte premtuar që është hequr ky vendim porse nuk ka gjetur zbatim.
Pasi në rrjetet sociale të dielën janë publikuar fotografi dhe pretendime për kushte të papërshtatshme infrastrukturore dhe trajtim jodinjitoz në Pediatri, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar të hënën se ka formuar një komision ad-hoc për të zhvilluar hetim administrativ dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.