Arbëri

Mungon medikamenti që pos sëmundjeve reumatike, lehtëson edhe atë të lëkurës

Sadik Spahiaj është një nga pacientët që ka mbetur prej një jave pa terapinë me barin “Etanercept”.

Kjo substancë biologjike, të cilën e merr në dy doza javore për sëmundjen reumatike, atij i shërben edhe për lehtësimin e psoriazës, sëmundje e lëkurës.

“Ne kur nuk e marrim këtë bari, këtë ampulë, substancë biologjike, kemi dhimbje dhe jemi të palëvizshëm, kemi pengesa shumë në lëvizje dhe shtohen dhimbjet ditë pas dite. Një javë kur nuk e marrim, ne na keqësohet gjendja e lëre që herën e parë nuk e kemi marrë pesë javë, tash u bë e dyta javë që deri më tani asgjë”, tha Spahiu.

Psoriaza është sëmundje kronike e lëkurës, e cila manifestohet me njolla të kuqe dhe vërehet në shumë pjesë të trupit.

Reumatologia Jehona Ismaili-Kadriaj, tregon se ka pacientë që janë të prekur edhe nga psoriaza, e edhe nga artriti psoriatik apo inflamacioni i kyçeve.

Ajo përmend efektin e dyfishtë që e ka bari “Etanercept” te këta pacientë, duke thënë se gjatë trajtimit të Artritit Psoriatik me këtë substancë biologjike kanë vërejtur qetësim edhe të sëmundjes së psoriazës.

“Do të thotë, kemi pacientë të cilët pasi kanë filluar ta marrin terapinë me ‘Etanercept’, për herë të parë kanë arritur që të ndihen mirë, ndoshta edhe në rroba, të zbulojnë pjesë të trupit të cilat nuk i kanë zbuluar me vite për shkak të psoriazës vulgare, për shkak të një lëkure të acaruar. Tani kur ‘Etanercept’ mungon, të gjithë përveç që i kanë frikë ndryshimet në nyja dhe dhimbje të cilat mund të rifillojnë, e kam fjalën për kategorinë e pacientëve me Artrit Psoriatik, është frika se nuk do të mund të vishen ashtu siç duhen, për arsye se ndryshimet nën lëkurë do të rikthehen edhe do të rikthehen në formën më të furishme”, u shpreh Ismaili-Kadriaj.

Ajo shpjegon për simptomat kryesore dhe rëndësinë e marrjes së këtij medikamenti.

“Te diku deri 90 për qind e pacientëve që kanë Artrit psoriatik, përpos që terapia me ‘Etanercept’ dukshëm zbut dhimbjet në nyje, përmirëson cilësinë e jetës, përmirëson lëvizjet e pacientëve, është një simptomë kryesore, shqetësim. Domethënë, terapia biologjike përmirëson dhe i zbut ndryshimet në lëkurë te pacientët me Psoriazë, të cilat janë shumë shqetësuese, sepse te disa psoriaza që është vulgare e gjeneralizuar, nuk kemi psoriazë të lokalizume, vetëm disa pjesë, se ka pacientë me psorizë që kanë ndryshimet e vetme në bërryla, ka disa që e kanë pjesën e parakrahut, ka disa që mund t’i kenë në shpinë, mirëpo kemi edhe psoriaza në formë të gjeneralizuar”, shtoi ajo

Në Klinikën e Dermatologjisë thonë se aktualisht nuk e përdorin këtë substancë biologjike, pasi është e shtrenjtë, porse përderisa është dëshmuar se ka efekt pozitiv te pacientët, mirëpresin që në të ardhmen ta posedojnë si terapi.

KOHA ka raportuar edhe javën e kaluar se si vonesat në furnizim sipas kontratës me kompaninë “Santefarm” dhe afati i skadimit të barnave sipas ligjeve të Kosovës e kanë lënë pa barin Etanercept një pjesë të pacientëve të Reumatologjisë.

Në ShSKUK nuk kanë treguar se qe sa kohë kompania “Santefarm” nuk ka bërë furnizimin e rregullt nëpërmjet kontratës dyvjeçare, të nënshkruar në shtator të vitit 2020.

“Ne kemi proceduar me porosi të rregullt për furnizim në kuadër të TM3, ndërsa sipas porosisë së rregullt jemi furnizuar pjesërisht, ndërsa ka vazhduar pjesërisht edhe në formë të donacionit. Jemi në pritje të liferimit të mallit”, thuhet në përgjigjen e Sektorit Farmaceutik të SHSKUK-së.
Disa nga pacientët që e kanë siguruar atë individualisht, kanë treguar se kostoja e një doze 25 miligramëshe të Etanerceptit jashtë Kosovës varion nga 125 deri në 350 euro.