Mungesa e vaksinës kundër rotavirusit ka lënë pa mbrojtje një numër foshnjash në moshën 2 dhe 4-muajshe në Kosovë. Për shkak të mosfurnizimit, ato nuk kanë arritur të vaksinohen sipas kalendarit të rregullt të imunizimit dhe, nëse e kanë kaluar afatin e përcaktuar, nuk mund ta marrin më këtë vaksinë. Institucionet shëndetësore paralajmërojnë se shpërndarja e re e vaksinës pritet të bëhet pas dy ditësh
Foshnjat që kanë mbushur 2 dhe 4 muaj gjatë muajve mars dhe prill kanë mbetur pa mbrojtje nga diarreja e rëndë që shkaktohet nga rotavirusi, në mungesë të vaksinave.
Doza e parë e kësaj vaksine bazuar në kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë administrohet në muajin e dytë dhe të katërt të jetës së foshnjës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOrganizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që doza e parë e vaksinës kundër rotavirusit të jepet sa më herët që të jetë e mundur pas javës së 6-të të jetës, dhe po ashtu thekson se nuk fillohet ose nuk vazhdohet vaksinimi nëse foshnja e ka kaluar kufirin e moshës.
Edhe infektologia Vera Berisha-Ndrejaj, ka theksuar se doza e parë duhet të jepet nga java e 6-të deri në maksimum 15 javë të jetës. Ndërkaq e dyta, duhet të jepet jo më vonë se java e 32-të. Të dy dozat jepen në formë orale, përmes pikave në gojë.
Sipas saj, ato foshnja që nuk e marrin dozën e parë brenda këtij afati, nuk mund të vazhdojnë me dozën tjetër.
“Rotavirusi është pak më specifike, në qoftë se nuk merret në javën e 12-15, atëherë nuk mund të merret doza tjetër... Me që është karakteristike për moshat e vogla, atëherë edhe vaksinimi jepet deri në javën e 12 ose 15 të jetës. Nëse jepet në atë moshë atëherë ripërsëritet jo më larg se në javën e 32-të”, ka thënë Berisha-Ndrejaj, që është edhe drejtoreshë e Klinikës Infektive.
Në Ministrinë e Shëndetësisë e as në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk treguan se sa është numri i foshnjave që nuk kanë arritur të vaksinohen me kohë gjatë kësaj periudhe.
Në MSH kanë theksuar se vaksina pritet të arrijë në Kosovë më 6 maj dhe të shpërndahet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare më 7 maj.
“Gjatë periudhës së mungesës së vaksinës, një numër i konsiderueshëm i foshnjave në moshën 2 dhe 4-muajshe nuk kanë arritur të vaksinohen sipas kalendarit të rregullt të imunizimit. Të gjithë fëmijët që kanë humbur mundësinë për vaksinim gjatë kësaj kohe do të trajtohen me prioritet pas arritjes së vaksinave. Pas një vlerësimi profesional nga personeli shëndetësor, prindërit ose kujdestarët do të kontaktohen për të caktuar terminët e vaksinimit, në përputhje me udhëzimet dhe kriteret mjekësore për këtë vaksinë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Infektologia Berisha-Ndrejaj ka theksuar rëndësinë e vaksinimit me kohë me këtë vaksinë.
“Rotavirusi shkakton probleme të jashtëzakonshme tek foshnjat të cilat edhe ashtu janë të brishta, foshnjat e vogla në kuptim të diarreve të shprehura, të vjellurave etj, deri në dehidrime të rënda, me humbje të lëngjeve dhe dehidrimeve të rënda, me humbjen e lëngjeve dhe të elektroliteve. Prandaj me ardhjen e vaksinës jo vetëm tek ne, por edhe në botë, numri i rasteve, të sëmurëve me rotavirus, apo të përkeqësimit të gjendjeve ka rënë”, ka thënë infektologia.
Furnizimi i fundit me këtë vaksinë është bërë në janar të vitit 2025.
Sipas një përgjigjeje të mëparshme të Ministrisë së Shëndetësisë, planifikimet për këtë vit janë bërë që nga prilli i vitit të kaluar, por megjithatë furnizimi për vitin 2026 ende nuk është realizuar.
Në Ministri në muajin mars kanë thënë se kanë kryer procedurat e duhura pranë UNICEF-it për sigurimin e vaksinave, duke paguar me kohë rreth 500 mijë dollarë për 40 mijë doza.
Megjithatë, sipas Ministrisë, për shkak të një uljeje të papritur të furnizimit global nga prodhuesi, UNICEF ka njoftuar se kjo situatë do të ndikojë edhe në Kosovë.
KOHA ka dërguar pyetje në UNICEF lidhur me sigurimin e vaksinave. E në përgjigje thuhet se vaksinat pritet të mbërrijnë deri në fund të javës.
“Vaksinat kundër Rotavirusit pritet të vijnë deri në fund të kësaj jave. Ashtu si edhe është raportuar në media më herpt, vonesat kanë qenë globale, andaj ka pasur vonesa edhe në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e UNICEF-it.
Për shkak të numrit të madh të kërkesave, Komuna e Prishtinës ka mbetur pa këtë vaksinë që nga fundi i muajit mars. Gjatë javës së kaluar janë shpenzuar edhe sasitë e fundit në stok në Komunën e Podujevës.
Vaksina kundër rotavirusit, ajo kundër pneumokokut dhe vaksina kundër Human Papilloma Virusit janë tri vaksinat që janë përfshirë në kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë që nga viti 2023.