Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur mbështetjen për protestën e thirrur më 7 gusht nga veteranët e luftës, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.
“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai ka theksuar se shteti i Kosovës është rezultat i dy shtyllave, rezistencës paqësore të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe luftës së armatosur të UÇK-së. Sipas tij, këto janë vlera të përbashkëta që nuk duhet relativizuar.
Mustafa ka kujtuar se Kuvendi i Kosovës, me besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare, kishte votuar themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Jam dëshmitar se këtë besim e kishin edhe asokohe presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar në atë kohë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, askush nuk e kishte menduar se drejtësia do të merrte kthesën e tanishme.
“Askujt s’do t’i shkonte mendja se bartësit kryesorë të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, njerëz me rol kyç në Rambuje, në bisedimet e Vjenës dhe në shpalljen e pavarësisë, do të përballeshin me akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se, pavarësisht dallimeve politike me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, në këtë rast mbështet kauzën e tyre për drejtësi.
“Kemi garuar se kush e bën Kosovën më mirë. Por në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në shesh”, ka shkruar ish-kryetari i LDK-së.