Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, tha se është dënuar për herë të pestë nga autoritetet serbe në Preshevë për ngritje të flamurit shqiptar.
Ai ka shkruar në Facebook se dënimi është akt presioni dhe qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke u shprehur se nuk është çështja vetëm te flamuri “por liria jonë e shprehjes, e drejta për të ekzistuar dhe për t’u identifikuar si shqiptarë”.
“Sot, për herë të pestë, pas më shumë se dy vitesh nga përfundimi i mandatit si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, u dënova për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Ky është një absurd dhe përndjekje e hapur ndaj simbolit tonë kombëtar, që nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për përndjekje politike, me qëllim frikësimin dhe censurimin e atyre që shprehin hapur identitetin e tyre kombëtar. Ky akt është presion kundër të ndryshmes dhe intolerancës ndaj të tjerëve, një qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nuk është vetëm tek flamuri, por liria jonë e shprehjes, e drejta për të ekzistuar dhe për t’u identifikuar si shqiptarë”, është shprehur Mustafi.
Sipas tij, nëpërmjet kësaj, autoritetet serbe po përpiqen të dobësojnë kauzën për identitet dhe dinjitet.
“Lufta jonë për të drejtat tona vazhdon, pa marrë parasysh pengesat apo presionet që na bëhen. Nuk jam më në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar as punonjës i këtij institucioni siç deklarova në gjykatën e Vladiçki Han-it, dhe thash megjithatë, po të isha përsëri në të njëjtën situatë ose në një funksion tjetër, me vetëdije të plotë do të bëja të njëjtën gjë, pavarësisht pasojave”, ka thënë ai.