Brenda 14 muajve qeverisje me Prishtinën në mandatin e dytë, kryetari Shpend Ahmeti, ka bërë disa ndryshime në kabinetin e tij.
E nisi në nëntor të 2018-s me shkarkimin e dy drejtorëve të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Pas këtij veprimi, dha dorëheqje edhe drejtori i Kulturës që vinte nga VV-ja.
Për pasojë, rreth tre muaj kadastri, shëndetësia dhe kultura mbetën pa drejtorë.
Këtë javë, Ahmeti shkarkoi drejtorin e Arsimit, Jonuz Salihaj, siç është thënë me kërkesë të partisë së tij, AAK.
Pas rastit të Salihajt, Ahmeti bëri edhe ndryshime të tjera.
Ai ia ka marrë AAK-së Inspektoratin dhe ia ka dhënë një drejtori më të rëndësishme, atë të pronës, të cilën do ta udhëheqë Brahim Mehmetaj.
Nga prona, Dren Kukajn e PSD-së, Ahmeti e ka dërguar në krye të drejtorisë së Mirëqenies Sociale. Ndërsa, Valbona Osmani do ta zëvendësojë Nora Kelmendin në Kadastër.
Zëdhënësi i deritashëm i komunës, Adonis Tahiri, do të jetë drejtor i Inspektoratit.
Por, qytetarët thonë se ndryshimet e shpeshta brenda komunës shkojnë vetëm në dëm të tyre.
Kryetari Ahmeti thotë se këto ndryshime i ka bërë për ta shtuar efikasitetin e punës në komunë.
Ai ka mohuar se ia ka dhënë AAK-së drejtorinë e Pronës për ta privilegjuar.
Opozita kritikon Ahmetin për shtimin e numrit të drejtorive, të cilat sipas saj, janë jofunksionale.
Asamblistja e LDK-së në kryeqytet, Vlora Dumoshi, qeverisjen e Ahmetit e quan të dështuar.
Dumoshi thotë se ndryshimet e fundit nëpër drejtori nuk do të sjellin të mira për qytetarët.