Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndryshimi i orarit mësimor për Ramazan shihet në kundërshtim me parimin laik të shtetit

shkolla

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka vendosur që ta ndryshojë orarin e mësimit gjatë muajit të Ramazanit, “në respekt të agjëruesve”. Por ky vendim ka nxitur debat, pasi që njohës të çështjeve ligjore kanë vlerësuar se ndryshimi në orarin mësimor mund të jetë në kundërshtim me parimin laik të shtetit, siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës

Me fillimin e muajit të Ramazanit, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prishtinë ka marrë vendim që në respekt të agjëruesve, ta rishikojë organizimin e procesit mësimor.

Në këtë drejtori kanë marrë vendim që mësimi gjatë Ramazanit të fillojë nga ora 07:30, që të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit, si dhe të reduktohen pushimet e gjata.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Këto ndryshime bëhen me qëllim që procesi mësimor të përfundojë më së largu deri në orën 17:00, pa u zvogëluar numri dhe kohëzgjatja e orëve mësimore, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e mësimit”, thuhet në vendimin e DKA-së në Prishtinë.

Por, këtë vendim të drejtorisë nuk do ta respektojnë të gjitha shkollat në kryeqytet.

Në shkollën fillore “Ismail Qemali” kanë bërë të ditur se nuk do t’i përmbahen këtij ndryshimi të orarit, pasi që nuk kanë mundësi praktike për zbatim.

“Shkolla ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë, për arsye të brendshme organizative të cilat janë analizuar nga drejtoria, nuk ka mundësi praktike për ndryshimin e orarit në këtë periudhë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KDSH-në e shkollës lidhur me këtë çështje”, kanë njoftuar në këtë shkollë.

Vendimi nuk do të zbatohet as në shkollën “Iliria”, në të cilën, nëpërmjet njoftimeve në grupe me prindër në rrjete sociale, kanë informuar se të premten mësimi do të zhvillohet me orar të rregullt dhe që, në rast të ndonjë ndryshimi në vendim, informacionet do të jepen me kohë.

Përveç në Prishtinë, KOHA ka mësuar se shkurtim të pushimeve mes orëve mësimore ka bërë edhe gjimnazi “Ulpiana” në Lipjan.

KOHA ka provuar të kontaktojë me drejtorin e Arsimit në këtë komunë, porse ai gjatë ditës nuk ka qenë i qasshëm.

Në Ministrinë e Arsimit nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse janë në dijeni për veprimet e DKA-së në Prishtinë dhe nëse ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi.

Neni 8 i Kushtetutës specifikon se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare.

E hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, e ka quajtur vendimin të gabuar, pasi ka theksuar se me të feja vendoset si arsye formale e organizimit institucional, duke i larguar shkollat publike nga baza pedagogjike.

“Liria fetare është individuale dhe duhet respektuar si e tillë. Askush nuk e vë në diskutim agjërimin apo dinjitetin e besimtarëve. Por kur një institucion publik e lidh vendimin e vet me një praktikë fetare, karakteri laik i institucioneve publike fillon të cenohet. Mirëkuptimi për nxënës që agjërojnë është normal. Por, ndryshimi i gjithë orarit “për shkak të Ramazanit” tregon orientim institucional sipas një reference fetare. E vendimet publike nuk duhet të mbështeten mbi referenca fetare, sepse kjo i jep politikës një terren të panevojshëm simbolik. Kjo nuk është çështje antifetare, por e standardit institucional”, ka theksuar ai

Pothuajse çdo vit, KOHA ka raportuar se si shkollat në disa komuna riorganizojnë orarin e mësimit gjatë muajit të Ramazanit.

Lexo përditësimet tjera
Shkolla Zenel Hajdini

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ndryshon orarin e mësimit “në respekt të agjëruesve”

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka vendosur që të bëjë ndryshime në procesin mësimor me fillimin...