Arbëri

Ndryshon aktakuza, shtyhet nisja e shqyrtimit fillestar për vrasjen e Ivanoviqit

Një muaj pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vrasjen e Oliver Ivanvoiqit, ky institucion ka vendosur ta ndryshojë dispozitivin e parë të saj.

Por, ky nuk ka qenë shkaku i vetëm që këtë të hënë ka dështuar të nisë shqyrtimi fillestar në këtë rast.

Mospërkthimi i aktakuzës dhe provave në gjuhën serbe ka bërë që kryetari i trupit gjykues të shtyjë këtë seancë për muajin shkurt, raporton KTV.

Por, këtë të hënë Kurtaj, gjithashtu, ua ka kufizuar mediave xhirimin në disa minuta, derisa ka ndaluar gjithashtu që të akuzuarit të paraqiten me fytyrë në media.

Pas seancës, bashkëpunëtorja e të ndjerit Oliver Ivanovqi dhe nënkryetare e SDP-së, Ksenija Bozhoviq, gjithë këtë proces gjyqësor e ka quajtur farsë.

“Thjesht po konfirmohet ajo që e kemi thënë që nga dita e parë e hetimeve, se hetimi është mbeturinë, se aktakuza është një mbeturinë, dhe se e gjithë kjo është farsë dhe kjo është konfirmuar sot. Nervozizmi i gjyqtarit, përkthimi joprofesional, asnjë përgjigje nga Prokuroria - tregon se sa joprofesional është ky institucion”, ka thënë Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e SDP-së.

Ndërsa, babai i njërit prej të akuzuarve ka thënë se kjo aktakuzë është një spektakël.

“Ata bëjnë spektakël nga ky gjykim dhe ju e keni parë edhe vetë se kjo është një kërdi. Nuk e di se cila është kjo aktakuzë dhe është vetëm për ta stërzgjatur procesin. Kushdo që e ka parë atë, mund ta kuptojë se kjo nuk është aspak aktakuzë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, këtu flitet për disa grupime, disa luftime”, ka thënë Nebojsha Roshiq, babai i të akuzuarit Marko Roshiq.

Avokatët mbrojtës kanë thënë ta kenë të paqartë situatën e krijuar.

“Sot u shty seanca për shkak të një situate më absurde që kam përjetuar në karrierën time, se Prokuroria të premten sjell aktakuzë të re në vend se ta ndërrojë të vjetrën dhe tani kemi në këtë situatë dy aktakuza për të njëjtit persona, për të njëjtat veprime dhe vepra të ngjashme penale”, ka thënë Dejan Vasiq, avokat i Nedeljko Spasojeviqit.

Në fillim të dhjetorit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Nedelkso Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsovic, Dragisha Mirkovic, Zarko Jovanoviq, Rade Basara, Zvonko Veselinoviq e Milan Radojicic akuzohen për 8 vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje e rëndë, pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal e keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Por, ata që Prokuroria i konsideron udhëheqës të grupit kriminal, Milan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq, si dhe Zhelko Bojiq, shef i operativës së Policisë për komunat veriore, vazhdojnë të jenë në arrati, e për të cilët ekziston fletë-arrestim ndërkombëtar.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal që nga 2011-a dhe një pjesë e anëtarëve të grupit e kanë përcjellë Ivanoviqin, megjithëse nuk është e qartë se kush konkretisht e ka kryer vrasjen.