Arbëri

Në 249-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së kërkohet më shumë investim në forcimin e raporteve

Me rastin e 249-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, liderë dhe përfaqësues partiakë në Kosovë kanë uruar aleatin kryesor ndërkombëtar. Nga mbështetja vendimtare për çlirimin dhe për shtetformimin e Kosovës deri te sfidat aktuale në koordinim dhe në diplomaci, raportet Kosovë-SHBA kanë kaluar nëpër etapa të ndryshme. E njohës të zhvillimeve politike e kanë shtruar nevojën për më shumë investim në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Raportet e ngushta midis Kosovës dhe aleatit të saj më të madh strategjik janë afirmuar të premten, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë shënuar 249-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol thelbësor në çlirimin e Kosovës nëpërmjet udhëheqjes së intervenimit të NATO-s në vitin 1999. Më vonë, me njohjen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008-s dhe me ndihmën për ndërtimin e institucioneve demokratike, SHBA-ja është shndërruar në garantuesin më të fuqishëm të shtetësisë së Kosovës.

Miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së është përmendur edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, në një postim në rrjete sociale për këtë përvjetor të pavarësisë.

“Sot Shtetet e Bashkuara festojnë frymën e patundur të lirisë, guximin e themeluesve tanë dhe forcën e demokracisë sonë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara festojnë përvjetorin e 249-të të Ditës së Pavarësisë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë — së bashku me miqtë tanë kosovarë!”, është shkruar në postimin e Ambasadës amerikane.

E presidentja Vjosa Osmani ia ka uruar SHBA-së 4 korrikun në emër të “popullit më proamerikan në botë”.

“Nga populli më proamerikan në botë: Gëzuar 4 Korrikun, Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani në Facebook, duke e bashkëngjitur një videoxhirim nga festa e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, organizuar të martën nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

Ajo është shprehur falënderuese që populli amerikan ka qëndruar përkrah Kosovës në çdo kohë.

“Para 26 vjetëve, udhëheqja juaj na ndihmoi që ta fitonim lirinë, një liri që u mohua për shekuj, e çdo vit më tej. Përmes ndërtimit të paqes, ndërtimit të institucioneve dhe zhvillimet ekonomike dhe forcimit strategjik të mbrojtjes dhe diplomacisë. Çdo kapitull i Republikës së Kosovës mbart vulën e SHBA-së”, ka shkruar Osmani.

Kurti përmend mbështetjen ushtarake nga SHBA-ja

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tek e ka uruar presidentin amerikan, Donald Trump, për Ditën e Pavarësisë, është shprehur krenar për miqësinë dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.

“Sot, në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës hyjnë në vitin e 250-të të ekzistencës së tyre, i uroj presidentit Donald J. Trump dhe të gjithë popullit të ShBA-së gëzuar Ditën e Pavarësisë! Në një kohë kur po rrezikohen gjithnjë e më shumë paqja dhe siguria ndërkombëtare, idealet e shprehura në Deklaratën e vitit 1776, ato të lirisë, barazisë dhe demokracisë, janë po aq të rëndësishme sot sa ishin para 249 vjetëve, jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën. Jemi mirënjohës për miqësinë dhe krenarë për bashkëpunimin e partneritetin ndërmjet Republikës sonë dhe SHBA-së në mbrojtjen e po atyre idealeve”, ka shkruar Kurti.

Ai ka përmendur edhe mbështetjen ushtarake që SHBA-ja ia ka ofruar Kosovës.

“Zhvillimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus dhe strehimi i refugjatëve afganë dhe qytetarëve të vendeve të tjera në territorin e Kosovës, janë vetëm disa nga fushat në të cilat bashkërendimi i prioriteteve tona ka shënuar, dhe vazhdon të shënojë, progres të jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë”, ka shkruar kryeministri në detyrë.

E kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, e ka kualifikuar SHBA-në më shumë sesa veç partner të Kosovës.

“Një shtet që na doli krah në ditët më të vështira dhe ishte me ne në ditët më të mira. Për Kosovën dhe popullin tonë, SHBA-ja është më shumë se partner. Është shtylla e lirisë sonë dhe shembulli më i mirë i demokracisë që frymëzon çdo ditë popujt e lirë. Kosova është mirënjohëse. PDK është krenare për këtë miqësi – dhe e vendosur ta thellojë më tej – vit pas viti”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, në urimin e tij ka theksuar se për shumë shtete, përfshirë Kosovën, SHBA-ja është model frymëzimi dhe mbështetjeje.

“Kjo ngjarje nuk është vetëm lindja e një shteti në kuptimin formal, por lindja e një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-ja është themeluese dhe pishtare e së drejtës universale për të jetuar i lirë secili popull kudo në botë. Kontributi amerikan për lirinë, shtetformimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës është i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm”, ka shkruar Abdixhiku.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar SHBA-në aleate historike dhe mike të pazëvendësueshme për Kosovën”.

Kërkohet reflektim mbi të ardhmen e raporteve Kosovë-SHBA

Pasur parasysh historikun e mbështetjes amerikane për Kosovën – nisur nga intervenimi i NATO-s në vitin 1999, te njohja e pavarësisë më 2008 dhe deri te mbështetja e vazhdueshme politike, ushtarake e ekonomike – ish-diplomatë të Kosovës kanë theksuar se ka ardhur koha për të reflektuar mbi të ardhmen e raportit mes dy vendeve.

Avni Spahiu, ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, ka vlerësuar se me gjithë që marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta, ato kanë kaluar nëpër periudha të ftohjes që janë ndikuar nga faktorë të jashtëm, por edhe të brendshëm.

“Ka një ftohje që vjen nga shumë faktorë, edhe nga faktorët e jashtëm, siç janë ripozicionimi i SHBA-së, i fokusimit të tyre në vatra të tjera apo në gjeopolitikën e tyre të re, sidomos me presidentin e ri Trump, por ka edhe çështje të cilat kanë dëmtuar deri diku raportet me SHBA-në, ku ne nuk kemi komunikuar si duhet me partnerin tonë ndërkombëtar. Mendoj që raportet megjithatë janë të mira, të forta, në bazë të fortë dhe shpresoj se do të vazhdojë përmirësimi i këtyre raporteve dhe nuk kam asnjë dyshim që partneri ynë kryesor do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen”, ka theksuar Spahiu.

Në një botë përherë e më të tensionuar, me luftën Rusi-Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe me përplasjet globale me Kinën dhe Rusinë, vëmendja e SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor është relativisht e ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithëkëtë, rajoni mbetet i rëndësishëm si pjesë e përpjekjeve për stabilitet në Evropë dhe kundër ndikimit rus.

Marrë parasysh faktin se presidenti Trump së fundmi e ka përmendur disa herë në kontekstin e rreziqeve globale, Spahiu ka theksuar se Kosova vazhdon të përbëjë çështje për politikën e jashtme amerikane.

“Ne kemi humbur fokusin në aspektin e interesimit të SHBA-së, por edhe vendeve të tjera me peshë, për shkak të krizave të reja që kanë lindur dhe një gjeopolitike të re që tashmë është vënë në jetë. Kemi disa vatra krize, Ukrainën, Lindjen e Mesme e shumë të tjera, kur ndërthuren interesat e Amerikës të ndryshme, ekonomike, politike, strategjike, është normale që Kosova nuk është më në fokus kryesor, megjithatë, siç po dëshmohet kohëve të fundit, Kosova nuk është harruar, por është një pjesë e preokupimit amerikan”, ka deklaruar Spahiu.

Sipas tij, diplomacia kosovare duhet të jetë më aktive, pasi që i nevojitet mbështetja në Kongres e edhe në administratën e re.

Mbështetja nga SHBA-ja mbetet shtyllë e rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës, por zhvillimet e viteve të fundit, përfshirë kritikat ndaj veprimeve të qeverisë, ndryshimet në administratat amerikane dhe kontekstin e ri gjeopolitik, kanë sjellë edhe dilema të reja për drejtimin dhe për prioritetet e këtij partneriteti.

Në vitin 2020, administrata Trump ka ndërmjetësuar marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Washingtonit. Ajo ka shmangur çështjet politike, si njohja reciproke, duke e zhvendosur fokusin te bashkëpunimi ekonomik dhe tek investimet.

Administrata e ish-presidentit Joe Biden pati aplikuar qasje që mbështetej më shumë në rolin e Bashkimit Evropian (BE), si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi. Gjatë kësaj kohe pati ftohje të marrëdhënieve, veçanërisht për shkak të përplasjes së Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, lidhur me zhvillimet në veri të vendit.

Nëpërmjet ambasadorit dhe përfaqësuesve të lartë të Departamentit të Shtetit, SHBA-ja në disa raste i ka kualifikuar vendimet e Qeverisë si mungesë koordinimi dhe rrezik për përshkallëzimin e situatës në rajon. Këto përplasje kanë çuar deri në masa konkrete, si pezullimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23”. Por Kosova është rikthyer sivjet në këtë ushtrim, si një nga vendet nikoqire.