Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka ndarë dënime për Llapin dhe Gjilanin, pas ndeshjeve të xhiros së 11-të të Superligës.
Për shkak të “hedhjes së mjetit piroteknik tymues” në fundin e ndeshjes ndaj Prishtinës nga tifozët vendës, Llapi është gjobitur me 1.000 euro.
Ndërkohë, futbollisti i skuadrës llapjane, Benjamin Emini, për shkak të “protestave të pandërprera dhe për kapje të gjyqtarit të katërt për dore dhe ofendimeve”, ishte ndëshkuar direkt me të kuq dhe është dënuar me dy ndeshje moslojë.
Gjilani është dënuar me 1.200 euro për lëshim në organizimin e ndeshjes ndaj Dukagjinit. Zyrtarët e këtij klubi nuk kanë marrë masa ndaj personave të paautorizuar në lokalet zyrtare, korridor dhe në parkingun zyrtar të stadiumit.
Sipas Komisionit ka pasur ofendime e kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, të cilat kanë vazhduar edhe jashtë stadiumit.
Sekretari Mirand Avdiu dhe përfaqësuesi për siguri i Gjilanit, Adonis Maloku, janë dënuar me nga dy ndeshje mosushtrim të detyrës zyrtare, pas ofendimeve ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes.
Llapi ndaj Prishtinës fitoi 2:1, kurse Gjilani u mposht në shtëpi nga Dukagjini, 2:0.
