Në spektrin politik nuk ka ndonjë parti që ka paralajmëruar ta ofrojë para presidentes mandatarin për formimin e qeverisë së re. Për këtë nuk kanë folur as në Vetëvendosje, mandatari i së cilës nuk mori votat e nevojshme në Kuvend për ta formuar kabinetin qeveritar
Pas qëndrimit të shprehur të përfaqësuesve të subjekteve deri tash opozitare se nuk synojnë koalicion për qeverinë e re, në partinë fituese – Vetëvendosje, nuk kanë treguar nëse do të ofrojnë mandatarin e dytë, pas dështimit të të parit për të siguruar votat në Kuvend.
Deputeti Xhelal Sveçla, i cili është edhe ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, nuk është përgjigjur në pyetjen nëse Vetëvendosje do të paraqesë emër të ri për mandatar.
“Për çështjen e mandatarit flasim para Kuvendit në Prishtinë”, ka thënë Sveçla, pasi vuri gur themelin e një shkolle në “Kodrën e Minatorëve” në Mitrovicë të Veriut të martën.
Të dielën, propozimi i Kurtit për qeveri nuk mori votat e duhura në Kuvend.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit e partive politike janë të obliguar nga Gjykata Kushtetuese që të bëjnë çmos për t’i shmangur zgjedhjet.
“Përkundër ezaurimit të afatit 15-ditor që ka pasur mandatari Albin Kurti, tashmë në periudhën kur duhet të zhvillohen konsultimet nga ana e presidentes së vendit ekzistojnë ende të hapura mundësitë për të pasur një qeveri të re. Dhe realisht Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar që është obligim në radhë të parë i presidentes dhe i palëve që të bëjnë çmos për t`i shmangur zgjedhjet për aq sa vullneti politik e lejon një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Cakolli është shprehur se, fillimisht, presidentja duhet të caktojë kriteret mbizotëruese mbi bazën e të cilave palët mund t`ia dëshmojnë asaj se ndonjë parti a koalicion ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë.
Sipas Kushtetutës, presidentja Vjosa Osmani ka kohë 10 ditë që të zhvillojë takime me partitë politike për të caktuar mandatarin e ri. Më pas, mandatari ka edhe 15 ditë të tjera që Kuvendit t’ia paraqesë programin dhe përbërjen e qeverisë së re.
E ndonëse është në diskrecion të presidentes Osmani që të vendosë se kujt t’ia japë mundësinë e dytë, Cakolli nuk ka shprehur pritje që ndonjëra prej partive të ketë sukses në formimin e Qeverisë.
“Në situatën aktuale, për shkak të një niveli të lartë të acarimit të raporteve mes partive politike nuk besoj që ka gjasa që ndonjë prej kandidatëve të sigurojë këtë numër të votave. Aq më pak kur dihet që po flasim pra për një qeveri tejet jetëshkurtër, duke ditur që nëse presidenti i vendit nuk zgjidhet më së voni deri më 5 mars të vitit të ardhshëm, atëherë vendi automatikisht do të shkojë në zgjedhje të reja”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje pas diskutimeve me presidenten Osmani janë më të mëdha sesa që të ketë një mandatar të ri dhe që ai të ketë sukses në formimin e qeverisë.
Të hënën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që ka dështuar të sigurojë votat për mandatin e tretë, ka paralajmëruar se pas këtij zhvillimi priten dy palë zgjedhje të parakohshme brenda pak muajsh, në dhjetor dhe në pranverë. Zgjedhjet në pranverë i ka lidhur me ngërçin potencial për zgjedhjen e presidentit.
Sipas Cakollit, paralajmërimi i Kurtit për mundësinë e zgjedhjeve të reja edhe në mars është formë e presionit politik ndaj partive të tjera për të gjetur një zgjidhje.
“Për shkak se duke ditur sa marrin kohë procedurat për formimin e institucioneve në Kosovë, me vetëm rezultatet zgjedhore që mund të marrin deri në një muaj e gjysmë kohë e pastaj 30 ditë certifikim, përkatësisht konstituimi i Kuvendit e 15 ditë për mandatarin e parë, po flasim për tejkalim të procedurave dhe të afateve për zgjedhjen e presidentit edhe nëse zgjedhjet mbahen qysh në dhjetor të këtij viti”, ka thënë ai.
Të dielën e 26 tetorit, përfaqësues të partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, janë deklaruar pro zgjedhjeve.
Kushtetuta përcakton se nëse as mandatari i dytë nuk merr votat e nevojshme për formimin e qeverisë, atëherë shpallen zgjedhjet, që duhen mbajtur brenda 40 ditësh.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt dhe që nga atëherë nuk është formuar qeveria.