Fëmijët e çerdhes publike “Lulevera” në Prishtinë janë të lumtur me lodrat e reja, të cilat janë vendosur në hapësirën ku e kalojnë një pjesë të ditës.
Por, gëzimin patën mundësi ta përjetojnë vetëm pasi prindërit e tyre dhuruan para për t’i blerë lodrat.
Këtë javë, për ta u organizua festë, si inaugurim i përfundimit të punimeve.
Kërkesat e prindërve dhe çerdhes në drejtim të Komunës për ta rregulluar oborrin asnjëherë nuk u realizuan.
Për pasojë, prindërit u detyruan t’u krijojnë fëmijëve hapësira për të luajtur.
Prindërve u ka dalë në ndihmë Qendra Kulturore “Termokiss”, e cila ka kryer të gjitha punët fizike në oborr.
Iniciativën e prindërve e kanë mirëpritur drejtuesit e çerdhes.
Sipas drejtoreshës së çerdhes “Lulevera”, Mihrije Spahiu, nevojë urgjente për investime kanë edhe hapësirat e brendshme të çerdhes 30 vjet të vjetër.
Ajo thotë se më së shumti probleme kanë me dyert e dritaret e vjetra dhe hapësirat e papërshtatshme për shërbim të ushqimit ndaj fëmijëve.
Komuna nuk ka kthyer përgjigje nëse ka në plan të rinovojë ambientet e brendshme të çerdhes.