Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore. Deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës akuzuan njëri-tjetrin për joseriozitet e çalim të punës së Komisionit parlamentar
Komisioni hetimor parlamentar për rezervën shtetërore nuk e ka zhvilluar mbledhjen e paraparë për të mërkurën, në mungesë kuorumi. Në të munguan disa deputetët opozitarë.
Deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës që ishin prezentë në sallë e akuzuan njëri-tjetrin për joseriozitet, shkaku i çalimit të punës në këtë komision.
Deputeti i Vetëvendosjes, Driton Hyseni, ka theksuar se mbledhjen e ka thirrur kolegu i tij i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili është jashtë vendit.
“Konsideroj që mungesa e sotme është mungesë serioziteti pa marrë parasysh angazhimet e tjera. Mbledhja është thirrur nga kryesuesi, zotëri Qalaj, dhe unë nuk e di pse është dashur të thirret mbledhja kur të paktën ai e ka ditur që është jashtë vendit. Ne kolegët këtu jemi prezentë për të shprehur gatishmërinë për trajtimin e subjektit për të cilin Kuvendi i Kosovës na ka mandatuar ta trajtomë, pra hetimin e çështjes së rezervave shtetërore, respektivisht pretendimet që janë dhënë nga opozita që mund të kemi ndonjë keqpërdorim të mundshëm nga këto rezerva”, ka thënë Hyseni. “Krejt ideja ka qenë ta bindim opozitën t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare dhe ne të marrim pjesë në konstituimin e këtij komisioni dhe të vazhdojmë me punën”.
E deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, e cila është nënkryetare e këtij komisioni hetimor, e akuzoi Hysenin se po e luan rolin e viktimës, përderisa tha se partia në pushtet e ka bllokuar zhvillimin e punës së komisionit me mosprezencë.
“Nuk bën me luajt rolin duke u viktimizua që jeni të interesuar me zbardhë të vërteten, sepse ne si opozitë ju kemi ftuar që katër muaj dhe katër muaj na kanë dështuar mbledhjet e komisionit dhe, në këtë rast është hera e parë që opozita e ka dështuar mbledhjen, është hera parë që ka munguar. Tjetër është që kanë dështuar mbledhjet mes përplasjeve, por me prezencë është hera e parë si opozitë që po mungojmë, kështu që nuk është mirë me luajt rolin e viktimës që ju jeni të interesuar me zbardh të vërteten”, ka thënë Bunjaku.
Ky komision ka mandat deri në javën e parë të prillit. Kjo ishte ndër mbledhjet e rralla ku kanë munguar deputetët opozitarë në mbledhje të Komisionit hetimor.
Në shumicën e tyre kanë munguar deputetët e Vetëvendosjes.
Më 21 shtator 2023, Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Komisionit për të hetuar dyshimet lidhur me keqpërdorimin gjatë furnizimit të Rezervës shtetërore. Dyshimet e Prokurorisë Speciale janë se buxheti është dëmtuar me mbi 600 mijë euro duke u shkelur kontratat e Ministrisë së Tregtisë për blerje të grurit, vajit e sheqerit.