Arbëri

Në QKMF-në e Pejës mbyllet kabineti i Radiologjisë shkaku i mungesës së mjekëve

Kabineti i Radiologjisë në QKMF-në e Pejës është i pajisur me mamografi, ultrazë e pajisje të tjera të nevojshme, mirëpo dera e këtyre dhomave qëndron e mbyllur qe një javë.

Kjo, pasi radiologia e vetme është larguar.

Kryeshefja e Mjekësisë Familjare në QKMF të Pejës, Arjeta Musliqi, thotë se me largimin e 9 mjekëve dhe 26 infermierëve që kanë qenë të angazhuar gjatë pandemisë situata është vështirësuar.

“Sa i përket angazhimit të një radiologu tjetër ekzistojnë procedurat që duhet kërkuar leje nga Ministria e Financave për një vend pune, e kjo kërkon kohë. A do të ketë radiolog të tjerë që do të vijnë këtu nuk e di. Për arsye se është një kërkesë e madhe si për radiolog, si për biokimistë, mirëpo edhe për mjekë, se tash nëse ndahen specializimet ka me pasë edhe më shumë kërkesa për mjekë dhe na nuk kemi mundësi me i mbulu ato vende”, tha Musliqi.

E këto janë disa nga barnat që ndodhen në stokun e barnatores së Qendrës së Mjekësisë Familjare në Pejë.

Por, këtu mungon një numër i konsiderueshëm i ilaçeve të tjera mjaft të rëndësishme.

Disa nga pacientët që nuk pranuan të flasin para kamerës kanë treguar se detyrohen t’i blejnë barnat që nuk i gjejnë aty.

“Unë kam ardhur për insulinë, se marr insulinën. Ka ndonjëherë mungesë të insulinës dhe po na duhet me shku nëpër barnatore. Besa kur po i gjejmë edhe po gëzohemi me i ble dhe me i marrë”, tha pacienti Rexhep Rexhaj.

E Arjeta Musliqi, kryeshefe e Mjekësisë Familjare, thotë se me insulinë aktualisht qëndrojnë mirë, por tregon se furnizimi me barna nga Lista Esenciale nga ana e Ministrisë nuk është i mjaftueshëm.

“Për momentin furnizimi nuk është aq i mirë për arsye se kemi mungesë të barnave për pacientë, posaçërisht për pacientë me sëmundje kronike. Xxx janë këto barna që janë kërkesë e madhe e pacientëve. Duke pasur parasysh që edhe fluksi i pacientëve është më i madh gjatë këtij muaji, ne kemi pasur edhe bashkatdhetarë që kanë ardhur dhe është shtuar kërkesa për medikamente dhe po ashtu për terapi tjetër që ne nuk kemi qenë në mundësi. Me ato fonde vetjake ne kemi siguruar, por nuk kanë mjaftuar shumë”, tha Musliqi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se iu kanë ndihmuar komunave me staf mjekësor vetëm gjatë kohës së pandemisë për shkak të situatës. E sa u përket barnave, thotë se përqindja e furnizimit është e qëndrueshme.

“Përqindja e furnizimit me barna e KPSH është rreth 70%. Përqindja e furnizimit me material shpenzues mbi 90%. Ndërkaq ka mungesë të NaCl në disa qendra dhe kjo është shfaqur pasi që, sipas njoftimit nga Divizioni i Prokurimit të MSH, në procesin e kontraktimit ofertat për këtë produkt kanë tejkaluar në masë domethënëse vlerën e parashikuar (çmimi i ofruar është më i lartë sesa ai i kontratës së fundit). MSh është në procedurë për ta zgjidhur këtë çështje, e krijuar si pasojë e ofertave të papërgjegjshme dhe shumë të larta krahasuar me kontratën paraprake”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

KOHA javë më parë ka raportuar për mungesë të stafit mjekësor edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe atë të Gjakovës.