Arbëri

Në “Zenel Hajdini” 25 nxënës të klasës së dytë bojkotojnë mësimin

Ndërrimi i mësueses në klasën e dytë ka irrituar prindërit e 25 nxënësve të shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë, të cilët kanë vendosur që të mos i lejojnë fëmijët të vazhdojnë procesin mësimor. Sipas tyre, vendimi për ndërrimin e mësueses është marrë pa asnjë konsultim paraprak me ta. Në Komunën e Prishtinës kanë premtuar zgjidhje të këtij problemi

Prindërit e nxënësve të klasës së dytë në shkollën “Zenel Hajdini” në Prishtinë kanë vendosur që fëmijët e tyre të mos e vazhdojnë procesin mësimor.

Shkak për ndërprerjen e mësimit është ndërrimi i mësueses që i mësoi fëmijët në klasën e parë, një vendim që, sipas prindërve, është marrë pa konsultim me ta.

Përfaqësuesi i prindërve, Sadik Paqarada, ka thënë se vendimi i drejtorisë është i papranueshëm dhe se prindërit nuk do të lejojnë fëmijët të kthehen në bankat shkollore derisa t’u rikthehet mësuesja e parë.

“Po flas në emër të prindërve, jemi duke shprehur një pakënaqësi që është bërë ndaj fëmijëve tanë. E kanë ndërruar mësuesen tash që po e fillojnë klasën e dytë. Ne jemi duke shprehur pakënaqësinë, sepse nuk kemi pasur asnjë njoftim të qartë; kemi marrë vetëm një lajmërim, por pa asnjë sqarim dhe pa asnjë kompromis është bërë ndërrimi i mësueses”, ka thënë Paqarada.

Paqarada ka deklaruar se prindërit kanë tentuar të komunikojnë me drejtoreshën, por janë injoruar.

Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë komunikim të mirëfilltë mes prindërve dhe drejtoreshës.

E drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë se do të ketë një takim të veçantë me prindërit e nxënësve të klasës së dytë të shkollës “Zenel Hajdini”.

“Ka pasur disa reagim të prindërve pikërisht të këtyre klasave për ndërrim të shpeshtë të mësimdhënësve. Unë desha që t’i dëgjoj nga afër prindërit, t’i dëgjoj. Ashtu siç u dakorduam që nesër i presim në Drejtorinë e Arsimit, që përfundimisht të gjejmë një zgjidhje. Ashtu siç u thashë prindërve, po ju them edhe juve: shkolla nuk ekziston pa fëmijë, nuk ka kuptim pa fëmijë dhe sigurisht prindërit janë ata që duan më të mirën për fëmijët e tyre. Ne jemi këtu për të gjetur më të mirën”, ka thënë Shahini.

Procesi mësimor në këtë shkollë ka filluar me një javë vonesë, për shkak të rinovimeve që nuk u kryen me kohë.