Krijuesi i monumentit “NEWBORN”, Fisnik Ismaili, ka treguar se për përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës, monumenti do të ngjyroset me motive të artit tradicional japonez “kintsugi”.
Ismaili ka njoftuar në Facebook për ngjyrosjen e monumentit.
“Kintsugi” është art tradicional japonez që përdoret për t’i riparuar enët e qeramikës të thyera duke i bashkuar copat me llak të përzier me ar, argjend ose pluhur platini. Në vend që plasaritjet të fshihen, ato theksohen me ar, duke e bërë objektin edhe më të bukur dhe më të vlefshëm se më parë.
“NEWBORN 18. Kintsugi - arti japonez i ngjitjes me ar të gjërave të thyera, që i bën edhe më të forta, edhe më me vlerë...”, ka shkruar Ismaili.
“Kintsugi” simbolizon pranimin e defekteve dhe plagëve, forcën pas thyerjes, bukurinë që lind nga riparimi dhe idetë se historia e një objekti apo njeriu e bën atë unik. Ky art u zhvillua nga Japonia rreth shekullit të XV.
Kosova të martën e feston përvjetorin e 18-të të Pavarësisë. Vitin e kaluar monumenti i ishte dedikuar inteligjencës artificiale.