Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

64 deputetë votuan në raundin e parë, shtyhet për nesër seanca për zgjedhjen e persidentit

Seanca për zgjedhjen e presidentit/es së Kosovës është shtyrë për nesër 28 prill, në orën 10:00. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kuvendi i Kosovës i cili përbëhej vetëm nga deputetët e partisë në pushtet, pa Haxhi Avdylin, sonte votoi për dy kandidatet për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa kandidatja Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në vazhdimësi iu bëri thirrje deputetëve të grupeve tjera parlamentare që t’i bashkohen kësaj seance. Haxhiu madje me të nisur seanca deklaroi se kanë informacione që ata gjenden në zyrat e tyre brenda ambientit të Kuvendit të Kosovës.

Kësaj seance i parapriu një tjetër në orën 17:00 e cila u ftua vetëm për të diskutuar për çështjen e presidentit e ku tërhoqën kandidaturat e tyre për këtë pozitë, zëvendëskryeministri aktual Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. As në këtë seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.

E gjatë kësaj seance, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se opozita e ka bojkotuar procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe se sipas tij kjo mund të kuptohet vetëm si mosrespektim të verdiktit të popullit.

Sipas Kurtit, nuk qëndron as arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat kyçe të udhëheqjes së shtetit sepse ai thotë se opozitës ia ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.

Kryeministri Kurti akuzoi se ka koalicione paszgjedhore të cilat nuk po deklarohen por që është arsye e madhe e kësaj bllokade. Kurti deklaroi se qëllim kanë ta dëmtojnë LVV-në.

Por, sipas zv.kryeministrit Glauk Konjufca, partitë opozitare e dinë që nuk mund t’i marrin 50% të votave në zgjedhjet e ardhshme në rast se vendi i nënshtrohet në këtë periudhë këtij procesi.

Ndonëse opozita nuk mori pjesë në këtë seancë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi nga partia në pushtet që të tregojë se a i ka 66 vota për Vjosa Osmanin si kandidate për presidente. Sipas Kica-Xhelilit, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar propozim jo partiak dhe këtë ia ofroi përmes Osmanit si kandidate.

Për seancën e dytë e cila u ftua për në orën 20:30, nga Partia Demokratike e Kosovës u quajt joserioze pasi thonë se ftesën e pranuan pak minuta para se të fillojë seanca.

Gjithsesi, seanca e radhës për zgjedhjen e presidentit është më 28 prill me fillim në orën 10:00.

28 prilli është data e fundit e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës.

Gashi për nisjen e votimit për president me vetëm 64 deputetë: Gabim i rëndë kushtetues

10 min. më parë / 27 pri 2026 22:18
Arben Gashi, LDK

Photo: Driton Paçarada

Arben Gashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se fillimi i votimit për presidente me vetëm 64 deputetë në sallë është gabim i rëndë kushtetues. 

Gashi ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se duhet marrin pjesë 80 deputetë të paktën në raundin e parë. 

Në raundin e parë të votimit, Feride Rushiti mori 63 vota e një votë u shpall e pavlefshme. Hatixhe Hoxha nuk mori vota. Seanca u shty për të martën në ora 10:00. 

“Standardi kushtetues ekziston dhe është i padiskutueshëm: pa pjesëmarrjen e numrit të kërkuar të deputetëve, procesi është NUL. Ajo që po bëhet sonte është e gabuar, politikisht e papërgjegjshme dhe juridikisht e paqëndrueshme. Nuk mund të ndërtohen institucionet mbi shkeljen e Kushtetutës. Pas përfundimit të këtij votimi, ky proces duhet të shpallet i dështuar”, ka shkruar Gashi në Facebook. 

Ai ka thënë se zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike është shkuarja në zgjedhje. 

“Në këto rrethana, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike është kthimi te qytetari: shpallja e datës së zgjedhjeve të reja dhe rikthimi i legjitimitetit të plotë institucional. Përgjegjësia bie mbi ata që, edhe pse e dinë qartë standardin kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, po zgjedhin ta injorojnë atë për interesa të momentit politik. Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas nevojës së natës in ajo duhet respektuar. Kosova meriton stabilitet, respekt për Kushtetutën dhe institucione që burojnë nga një proces i pastër, i ligjshëm dhe legjitim”, ka shkruar Gashi.


 

KDI: Zgjedhja e presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon rendin kushtetues

24 min. më parë / 27 pri 2026 22:04
KDI

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dënuar ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues. 

Votimi për presidentin ka nisur, ndonëse në sallë nuk ishin prezent të paktën 80 deputetë në raundin e parë të votimit. 

“Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend. Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”, thuhet në reagim të KDI-së. 

KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. 

“Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese”, tha KDI. 
 

Biografia e Hatixhe Hoxhës, kandidates për presidente

26 min. më parë / 27 pri 2026 22:02
Hatixhe Hoxha

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka publikuar biografinë e kandidates për presidente, Hatixhe Hoxhës.

Hoxha është doktore e shkencave në fushën e filologjisë dhe ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Ajo karrierën e ka nisur në arsim dhe media.

Kandidatja Hoxha ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës për dy mandate radhazi derisa më vonë anagazhimin e saj e ka vazhduar në nivelin lokal të Komunës së Prishtinës.

Postimi i plotë:

Biografia e Hatixhe Hoxha, kandidate për Presidente:

Hatixhe Hoxha u lind më 22 gusht 1961 në Shkup. Ajo është një figurë me përvojë të gjerë në jetën akademike, politike dhe publike në Kosovë, duke ndërthurur angazhimin në arsim, media, institucione dhe shoqëri civile. Ajo është doktore e shkencave në fushën e filologjisë dhe ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku kontribuon në mënyrë të vazhdueshme në edukim, kulturë dhe zhvillim akademik.

Karrierën e saj profesionale e ka nisur në arsim dhe media, duke punuar si mësimdhënëse, si dhe si lektore në Televizionin e Prishtinës dhe gazetare në radion “Kosova e lirë”, përvoja që kanë ndikuar në formimin e saj publik dhe komunikimin institucional. Pas luftës, gjatë viteve 2000–2001, ajo ka ushtruar detyrën e menaxheres në Departamentin e Çështjeve Jorezidente, duke kontribuar në administratën publike në një periudhë të rëndësishme tranzicioni për Kosovën.

Në jetën politike, Hatixhe Hoxha ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës për dy mandate radhazi (2001–2004 dhe 2004–2007), ku është dalluar për angazhimin e saj në çështje sociale, arsimore dhe të barazisë gjinore. Gjatë viteve 2006–2007, ajo ka qenë bashkëkryetare e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, duke luajtur rol aktiv në avancimin e pozitës së grave në politikë dhe vendimmarrje. Më vonë, ajo ka vazhduar kontributin në nivel lokal si asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinë gjatë viteve 2013–2017.

Në aspektin akademik dhe profesional, ajo ka ndjekur dhe përfunduar në vitin 2005 një kurs pasuniversitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Tiranë, duke zgjeruar profilin e saj në fushën e politikave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Në vitin 2018 është certifikuar si trajnere në programin ndërkombëtar “Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships” në Ëashington DC, çka dëshmon për përkushtimin e saj në zhvillimin e lidershipit dhe kapaciteteve profesionale.

Përtej institucioneve, ajo është e angazhuar fuqishëm në shoqërinë civile. Është bashkëthemeluese e Shoqatës “Autizmi”, duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për personat me autizëm dhe familjet e tyre, si dhe anëtare e bordit në “Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar”, ku angazhohet për të drejtat dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.

Ajo është pjesëmarrëse e rregullt në konferenca, simpoziume dhe seminare vendore e ndërkombëtare, ku trajton tema që lidhen me gjuhësinë, politikat publike, çështjet gjinore dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ka botuar punime dhe kumtesa të ndryshme në këto fusha, duke kontribuar në diskursin akademik dhe publik.

Me një profil të konsoliduar ndërmjet akademisë, politikës dhe aktivizmit shoqëror, Hatixhe Hoxha përfaqëson një figurë të angazhuar në avancimin e arsimit, barazisë dhe përfshirjes sociale në Kosovë.

Nis votimi për president, opozita nuk është prezente në sallë

50 min. më parë / 27 pri 2026 21:37
Votim

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur procesi i votimit për presidentin. Në seancë gjenden 64 deputetë, ndërsa po mungojnë deputetët e opozitës. Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha janë propozuar nga Lëvizja  Vetëvendosje për presidente. Duhen të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim. 

Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, nëse nuk zgjidhet atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje. 
 

Biografia e Feride Rushitit, kandidates për presidente të Kosovës

52 min. më parë / 27 pri 2026 21:36
Feride Rushiti

Shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci, ka publikuar në faqen e saj në Facebook, biografinë e njërës nga kandidatet për presidente, Feride Rushtit.

Nagavci ka cekur mes tjerash që lidershipi i Rushitit është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme ndërkombëtare si ai International Women Courage Award nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së derisa në vitin 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe.

Postimi i plotë:

Biografia e dr. Feride Rushiti, kandidate për Presidente:

Feride Rushiti është mjeke dhe aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut, një nga figurat kyçe në Kosovë dhe ndërkombëtarisht në fushën e rehabilitimit të viktimave të torturës dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. E lindur më 12 shtator 1970 në Kosovë, ajo u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku u specializua në gastroenterologji.

Fillimisht e orientuar drejt një karriere klinike, rrjedha e jetës së saj ndryshoi rrënjësisht gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), kur shërbeu si mjeke në kampet e refugjatëve shqiptarë në Shqipëri, duke trajtuar viktima të dhunës, torturës dhe traumës së rëndë psikologjike.

Kjo përvojë u bë pikëkthese, duke e orientuar drejt angazhimit afatgjatë në drejtësi, rehabilitim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Menjëherë pas luftës, në vitin 1999, ajo themeloi dhe vazhdon të drejtojë Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT/QKRMT), organizata e parë e këtij lloji në Kosovë, e cila u krijua për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat e luftës. Nën udhëheqjen e saj, KRCT ka zhvilluar një model të integruar multidisiplinar që përfshin trajtim mjekësor, këshillim psikosocial, asistencë ligjore dhe avokim për politika publike, duke u shndërruar në një nga modelet më të avancuara në rajon për rehabilitimin e viktimave të torturës dhe traumës së luftës.

Gjatë më shumë se dy dekadave, puna e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 18,000 përfituesve, përfshirë mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, një nga kategoritë më të stigmatizuara në shoqërinë kosovare. Përmes një qasjeje të qëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj traumës, ajo ka qenë ndër zërat kryesorë në thyerjen e heshtjes dhe në sfidimin e stigmës shoqërore, duke kontribuar në ndryshimin e narrativës publike nga turpi dhe heshtja drejt dinjitetit, njohjes dhe drejtësisë.

Në nivel institucional dhe ligjor, kontributi i saj ka qenë thelbësor në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve. Ajo ka luajtur rol aktiv në proceset avokuese që çuan në ndryshimet ligjore të vitit 2014, përmes të cilave të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës u njohën zyrtarisht si viktima civile të luftës në Kosovë, si dhe në krijimin e mekanizmave shtetërorë për verifikim dhe përfitime financiare, që filluan të zbatohen nga viti 2017. Përveç kësaj, ajo ka kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave për drejtësi tranzicionale, dokumentimin e krimeve të luftës dhe promovimin e reparacioneve për viktimat.

Angazhimi i saj shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar, ku ajo ka ndarë përvojën e Kosovës si model për vendet që përballen me pasojat e konflikteve, përfshirë Irak, Ukrainë dhe Kolumbi. Ajo ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare, institucione akademike dhe mekanizma globalë për të drejtat e njeriut, duke kontribuar në avancimin e njohurive mbi traumën, rehabilitimin dhe drejtësinë për viktimat e dhunës.

Puna dhe lidershipi i saj janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat spikat çmimi prestigjioz International Women of Courage Award, i akorduar në vitin 2018 nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, në shenjë njohjeje për guximin dhe përkushtimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 2025, ajo u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, duke reflektuar ndikimin e saj të gjerë në promovimin e drejtësisë dhe dinjitetit për viktimat e luftës.

Dr. Feride Rushiti mbetet një nga pionieret e drejtësisë tranzicionale në Kosovë, duke ndërtuar ura mes shërimit individual dhe drejtësisë shoqërore. Misioni i saj është i qartë dhe i qëndrueshëm: ndërtimi i një shoqërie ku viktimat e luftës trajtohen me dinjitet, ku drejtësia është e qasshme dhe ku stigma zëvendësohet me njohje, solidaritet dhe përgjegjësi institucionale. Përmes punës së saj të palodhshme, ajo ka kontribuar jo vetëm në shërimin e mijëra individëve, por edhe në transformimin e vetë shoqërisë kosovare drejt një kulture më të drejtë dhe më humane.

Nis seanca, Haxhiu: Deputetët e opozitës janë në zyrat e tyre, i ftoj të vijnë

1 o. më parë / 27 pri 2026 21:08
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar deputetët e partive opozitare që t’iu bashkohen në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit ku janë dy kandidate për presidente.

Haxhiu tha se kanë informacion që ata gjenden në zyrat e tyre brenda hapësirës së Kuvendit.

“Ndërkohë presim që deputetët që nuk janë të pranishëm në këtë seancë të na bashkohen. I ftoj grupet parlamentare që nuk janë të pranishme në këtë seancë që të vijnë. Sipas informacioneve që kemi ata janë në zyrat e tyre andaj i ftojmë të vijnë e të na bashkohen”, ka thënë Haxhiu.

Më pas është lexuar biografia e dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Pas prezantimit kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ftuar Komisionin për Legjislacion që të mblidhet e t'i shqyrtojë dy kandidaturat. 

Çitaku: Në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në 20:30, kaq seriozë janë

1 o. më parë / 27 pri 2026 20:51
citaku

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka thënë se është joserioze mënyra se si është thirrur seanca për zgjedhjen e presidentit. 

Çitaku në postim në Facebook ka thënë se ftesën e ka pranuar në ora 20:26 për seancën e paraparë të mbahet në 20:30. Seanca për zgjedhje të presidentit ende s’ka nisur. 

“Pra, në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në ora 20:30.  Kaq serioz janë këta për të zgjedhur Presidentin”, ka shkruar Çitaku.