Arbëri

Nga vërshimet në Podujevë, dëmet më të mëdha evidentohen në ekonomi familjare

Një ditë pas përmbytjes, në Podujevë banorët janë përpjekur të nxjerrin ujin nga shtëpitë e tyre. Dëmet më të mëdha janë evidentuar në ekonomi familjare e në bujqësi. Qytetarët treguan se rritja e nivelit të lumit Llap dhe një përroske që kalon nëpër qytet ka bërë që shumë lagje të ndodhen në ujë.

Vërshimet e një dite më parë kanë lënë të përmbytura shumë shtëpi në disa lagje të qytetit të Podujevës.

Edhe në këtë komunë janë evidentuar dëme të mëdha në ekonomitë familjare dhe në bujqësi.

Milot Haziri nga qyteti i Podujevës thotë se ujit ua ka dëmtuar pajisjet bujqësore dhe perimet e shumta nëpër frigoriferë, të cilat i kishin për treg.

“Na e kemi këtë biznes familjar, që punojmë e mbesim gjallë prej saj. Qysh po shihet janë dëmtuar krejt, me makineri, frize, me makineri të larjes, me çdo send. Çka ka pasur brenda janë shkuar dëm. Nëpër shtëpi ka hyrë. Nuk ka lënë vend që s’na ka dëmtuar dhe s’na ka prekur prej uji”, ka thënë Haziri.

Banorët thonë se përmbytja ndodhi shpejt mbrëmjen e së enjtes dhe se e kishin të pamundur të shpëtonin diçka.

“Përroska e vogël këtu dhe lumi Llap janë bashkuar edhe për një kohë shumë të shkurt, kjo lagje këtu është në ujë. Rreth 30 shtëpi, janë evakuuar popullsia komplet. Për momentin këto shtëpi janë në ujë dhe janë të pabanueshme”, ka thënë Fidaim Tovërlani.

Ky banor thotë se përmbytja mund të jetë pasojë edhe e mbylljes së një kanali shkarkues që ka qenë në lagje.

Autoritetet komunale thanë se kompanitë e kontraktuara kanë intervenuar në secilën pjesë të Podujevës.

“Deri tash i kemi evakuuar dy familje, të cilat kanë qenë të rrezikuara nga përmbytjet, ato me ndihmën edhe të Njësisë së zjarrfikësve këtu në Podujevë i kemi evakuuar. Ndërsa tash është situata më e qetë dhe momentalisht nuk kemi ndonjë familje e cila është e rrezikuar nga përmbytjet. Lagje ka të cilat janë përfshirë nga vërshimet, por rrugë të pakalueshme në Komunën e Podujevës tash për tash nuk ka”, është shprehur Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës.

Komuna ka formuar një komision, i cili do të bëjë evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.