Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ngec projekti për mjekun familjar

qkmf

Edhe pse u prezantua si reformë në shëndetësi, projekti për përzgjedhjen e mjekut familjar nuk ka arritur të zbatohet plotësisht. Procesi ka mbetur në gjysmë, duke lënë qytetarët pa mundësinë për të zgjedhur mjekun e tyre përmes sistemit elektronik. Projekti për fillim nisi në Prizren, Lipjan, Istog dhe në dy qendra në Prishtinë

Projekti për zgjedhjen e mjekut familjar, i cili fillimisht u testua në katër komuna dhe pritej të shtrihej në gjithë vendin brenda vitit 2025, nuk ka përfunduar plotësisht as sa i përket fazës së pilotimit.

Në vitin 2024, Ministria e Shëndetësisë e nisi këtë plan në Prizren, Lipjan, Istog dhe në dy Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, por përzgjedhja e mjekut sipas zonës së banimit ka ngecur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përzgjedhja ishte paraparë të bëhej përmes platformës e-Kosova, por ajo nuk është përditësuar në mënyrë të rregullt. 

Në Komunën e Prishtinës, kjo është e qasshme vetëm për qytetarët që banojnë në zonat përreth QMF-ve në Ulpianë dhe në Breg të Diellit.

“Pilotimi ka qenë në katër komuna, pastaj ka filluar në krejt Kosovën, mirëpo momentalisht në Prishtinë ende nuk figurojnë emrat e të gjithë mjekëve në sistem në mënyrë që me mujtë me e përzgjedh, por edhe përkundër kësaj pacienti vjen e zgjedh mjekun e vet për me marrë shërbimin tek i cili e ka krijuar besueshmërinë”, ka thënë Albana Morina, specialiste e mjekësisë familjare në QKMF në Prishtinë.

Tash për tash, qytetarët nuk mund të zgjedhin mjekun e tyre familjar, pasi sistemi shfaq njoftim se komunikimi me platformën e Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund të realizohet.

Specialistja e mjekësisë familjare, Morina, pjesë e grupit monitorues të projektit, thotë se situatë e ngjashme është në të gjithë vendin.

Megjithatë ajo thekson rëndësinë e mjekut familjar.

“Kujdesi parësor përveç që është pika e parë e kontaktit me qytetarin është edhe pikë referuese për nivele të tjera të kujdesit shëndetësor... Është shumë e rëndësishme përzgjedhja e mjekut familjar edhe me ndërlidhjen e sigurimeve shëndetësore duke marrë parasysh që momentalisht në bazë të legjislacionit në fuqi mjeku familjar dhe doktori i mjekësisë janë ata që kanë të drejtë me shkru receta dhe nuk mund të bëhet rimburisimi i mjeteve nëse nuk është ndjekur hallka përmes mjekut familjar”, ka thënë ajo.

Se projekti i filluar në vitin 2024 nuk ka prodhuar rezultate në praktikë, e konfirmon edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Istogut, Fisnik Shoshi.

“Sa i përket zbatimit të projektit, një numër relativisht i kufizuar i qytetarëve kanë arritur të përzgjedhin mjekun familjar, përfshirë edhe një pjesë të stafit shëndetësor. Megjithatë, vlerësojmë se projekti ka hasur në vështirësi në fazën e implementimit të mëtejmë. Që nga fillimi i tij në vitin 2024 e deri më tani, nuk ka pasur zhvillime konkrete në drejtim të finalizimit të procesit”, është shprehur Shoshi.
Shoshi thotë se projekti ka ngecur, pasi mjekët ende nuk kanë pranuar pacientët e regjistruar përmes platformës.
“Sipas udhëzimeve të projektit, mjekët kanë pasur të drejtë që pas shqyrtimit të listave të pacientëve të pranojnë ose refuzojnë pacientët me arsyetim përkatës, mirëpo deri më tani nuk është ofruar asnjë feedback zyrtar në këtë drejtim, as për mjekët dhe as për institucionin tonë. Për rrjedhojë, projekti nuk mund të konsiderohet i përfunduar brenda vitit 2025, dhe procesi i përzgjedhjes së mjekut familjar nga ana e të gjithë qytetarëve të Komunës së Istogut ende nuk është realizuar plotësisht”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë projekt, KOHA ka pyetur edhe Komunën e Lipjanit dhe atë të Prizrenit, por nuk kanë kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Ministria e Shëndetësisë.

Plani i veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në kujdesin parësor shëndetësor përfshinte periudhën 2022–2025.

Sipas standardeve, parashihej 1 mjek familjar dhe 2 infermierë për 2 mijë banorë, por për arritjen e këtij standardi Kosovës i duhen edhe rreth 4 mijë mjekë familjarë dhe 200 infermierë.