Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i katërt i mbrojtjes, James Peter Covey, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Covey ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Vetë dëshmitari tha se njihet edhe si Jock Covey.

Ky dëshmitar e mban kodin 1DW004 në këtë proces gjyqësor dhe sipas trupit gjykues, dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tre ditë. Covey është dëshmitar i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas trupit gjykues, mbrojtja e Thaçit ka llogaritur se i duhen katër orë për ta marrë ne pyetje këtë dëshmitar. Ndërsa, sipas tij, tre ekipet tjera mbrojtëse kanë vlerësuar se iu duhen gjysmë ore. Ndërkaq, Prokuroria ka parashtruar se i duhen pesë orë për kundërpyetje.

Prokuroria kishte kërkuar që të shtyhet marrja në pyetje e këtij dëshmitari nga të gjitha palët deri më 1 tetor 2025. Ndërsa, mbrojtja e kundërshtoi një gjë të tillë duke thënë se janë me vonesë dhe se janë të ditura arsyet se pse nuk filloi dëshminë ky dëshmitar të hënën më 29 shtator 2025.

Mirëpo, Mishetiq tha se nuk kundërshtojnë që prokurori pyetjet e veta t’i fillojë nesër me kushtin që të përfundohet me këtë dëshmitar deri në fund të javës.

Trupi gjykues tha se nuk ka pasur vonesë të madhe në nxjerrjen e materialeve nga ana e mbrojtjes për këtë dëshmitar. Si rrjedhojë, pranoi kërkesën e Prokurorisë që ajo ta marrë nesër në pyetje këtë dëshmitar.

Gjatë kësaj kohe u pranua në prova materiale një pjesë e dokumentarit të BBC-së, i cili fliste për luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s. Sipas trupit gjykues, ky dokumentar pasqyron rolin e Thaçit gjatë konferencës së Rambujesë.

Ndryshe, në këtë seancë u mor vendim që të pranohet në prova, raportin i IMO-s në çështjen e Salih Mustafës lidhur me dëmin që iu është shkaktuar viktimave përkatëse.

Vlen të theksohet se katër të akuzuarit janë prezent fizikisht në sallën e gjyqit.

Covey: S’kam pasur pasqyrë të plotë se kush ishte përgjegjës nga UÇK-ja për një rajon të caktuar

1 o. më parë / 30 sht 2025 11:53
james

James Peter Covey deklaroi para Gjykatës Speciale se nuk ka pasur asnjëherë një pasqyrë të qartë se kush ishte përgjegjës për rajone të caktuara në UÇK dhe se kujt i raportonte ai person.

Dëshmitari pohoi se ishte e rëndësishme që ish-ushtarët e UÇK-së të integroheshin në forcën policore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë nuk kam pasur asnjëherë një pasqyrë të plotë ose një kuptim shumë të mirë- skemë të mirë të asaj që ushtria do ta quante rendi i luftimeve të UÇK-së për të kuptuar më qartë se kush ishte përgjegjës për një rajon të caktuar dhe kujt i raportonte ky person i caktuar. Një pjesë e mirë e kuptimit tonë kishte të bënte me faktin që jeta e brendshme e UÇK-së sipas KFOR-it dhe unë kam pas kontakte të rregullta me UÇK-në në të gjithë nivelet dhe sigurisht që kishte persona të caktuar që UÇK-ja donte të fliste në kuptimin e preferencës për të folur”, tha dëshmitari.

Po ashtu, Covey tha se kanë organizuar takime të rregullta me Mike Jackson, por që informacionet që kanë shkëmbyer nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kuptuar këtë rend të luftimeve që UÇK-ja ka pasur.

“Këtu nuk e kam fjalën për biseda rastësore, por më duhet të them që prej ditës së parë që kemi qenë në Kosovë; e kam fjalën për Kouchner dhe veten time- kemi angazhuar takime të rregullta me Mike Jackson në selinë e vet dhe qëllimi kryesor ka qenë që të shkëmbejmë informacion”, tha ai.

Dëshmitari pohoi se një prej personave që ka dënuar aktet e intolerancës etnike në mes palëve, ka qenë edhe Hashim Thaçi.

Covey thotë se UNMIK-u nuk e ka trajtuar Thaçin si komandant

1 o. më parë / 30 sht 2025 11:27
Hashim Thaçi UNMIK  Jock  Covey

Jock Covey ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner

Dëshmitari Jock  Covey deklaroi të martën në Hagë se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i njohur si UNMIK, nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant.

“Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument që thuhet se Thaçi ia ka dërguar Bernard Kouchnerit në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Sipas kësaj letre, avokati Luka Mishetiq tha se iu kërkohej disa personave të UÇK-së që të mbajnë armë. Por, Covet tha se ata nuk i janë përgjigjur kësaj letre.

Dëshmitari u pyet se gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë, kur mendon se ka përfunduar konflikti në mes UÇK-së dhe forcave serbe.

“Sipas nesh, konflikti përfundoi me marrëveshjen që serbët të tërhiqen që më duket së është nënshkruar me datën 20 qershor. Nuk më kujtohet thjesht, por ekziston dokumenti. Zbatimi i këtij dokumenti i dha formë zyrtare përfundimit të këtij konflikti”, tha Covey.

Ai mohoi se pas kësaj date kanë pasur dijeni për ndonjë përleshje të armatosur mes palëve. Tha që s’ka dijeni as për ndonjë fshat apo qytet në Kosovë të ishte rrethuar nga forcat serbe.

Covey: Thaçi s’ishte shef i Agim Çekut

1 o. më parë / 30 sht 2025 11:25
James Peter Covey Thaci Ceku

James Peter Covey ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner

Dëshmitari James Peter Covey deklaroi në Hagë se Hashim Thaçi nuk ishte shef i Agim Çekut dhe se asnjërin nuk e ka parë duke i dhënë urdhra njëri-tjetrit.

Covey tha se ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin e po ashtu edhe me rezerva, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Absolutisht jo. Sipas asaj që kam parë ata silleshin në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin. Nuk më kujtohet nëse kanë shkëmbyer fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sigurisht që nuk e kam parë asnjëherë njërin që të jepte urdhër ose udhëzime tjetrit. Dukej sikur silleshin me rezerva njëri me tjetrin”, tha ai.

Dëshmitari Covey mohoi se e ka parë ndonjëherë Çekun të jetë udhëzuar me Thaçin lidhur me ndonjë gjë.

Covey: Thaçi me komandantët e zonave kishte marrëdhënie të ndërlikuar

2 o. më parë / 30 sht 2025 10:48
James Peter Covey

Duke folur për një takim në të cilin Bernard Kouchner kishte udhëtuar për në Kosovë në shtator të 1999-ës që t’i binde komandantët e zonave për përmbushjen e kushteve të demilitarizimit, James Peter Covey tregoi se Hashim Thaçi nuk foli fare dhe se marrëdhënia e tij me komandantët e zonave ishte e ndërlikuar.

“Kjo më kujtohet fare qartë se dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me zotin Thaçi kur jemi njohur me atë. Pra, që ai kishte një marrëdhënie të vështirë-ndërlikuar me komandantët e UÇK-së në terren dhe se ata kishin pak kohë ose më mirë thënë kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij. S’kishin respekt”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitarit  iu prezantua një pikturë në një libër që pretendohet se është i shkruar nga gjenerali Mike Jackson. Në këtë pikturë shiheshin pjesëmarrësit e këtij takimi.