Arbëri

Nis fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Kurti: Duhet emancipuar burrat e djemtë e rinj

Albin Kurti

Ka nisur edhe në Kosovë fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Në hapje, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili citohet të ketë thënë se shteti ka detyrim të mbrojë çdo grua që përballet me kërcënim e dhunë.

“Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen mbi trauma të cilat nuk janë shëruar, as mbi një kulturë e cila e relativizon dhunën. Atë mund ta ndërtojmë vetëm mbi shërimin, mirëkuptimin dhe një kulturë e cila e refuzon dhunën dhe e vendos dinjitetin e njeriut në qendër. Dhuna në familje nuk justifikohet nga asgjë, askund, asnjëherë, as nga ngarkesa a stresi, e as nga ndonjë traditë a zakon”, tha kryeministri njofton ZKM-ja.

Kurti përmendi edhe lansimin dhe zbatimin e Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale; ofrimin e programit psiko-sociale për trajtimin e kryerësve të dhunës; ndihmën juridike falas për viktimat, pa asnjë kusht ekonomik - në fushën civile: për 671 qytetarë, prej tyre 588 gra, dhe në fushën penale: 310 qytetarë, prej tyre 187 gra.

Sipas Kurtit, lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm çështje e grave, para së gjithash thotë se duhen emancipuar burrat e djemtë e rinj.

Fushata vetëdijësuese u nis nga Zyra e UN Women në Kosovë. Fushata ka temë qendrore dhunën digjitale.

Në ngjarjen lansuese, UN Women së bashku me Engeneering HER Future ka lansuar festivalin “Orange Code 16”. Ky festival që ka mbledhur nxënës të shkollave fillore e të mesme nga e gjithë Kosova, synon t’i fuqizojë të rinjtë që, përmes STEM-it, teknologjisë dhe kreativitetit digjital, të krijojnë zgjidhje që rrisin vetëdijen dhe luftojnë dhunën digjitale ndaj grave dhe vajzave.

Pjesë e fushatës sivjet është edhe këngëtari Yll Limani që ka theksuar në fjalimin e tij se dhuna digjitale ka pasoja të mëdha dhe si e tillë s’duhet të vazhdojë.