(14:35) - Nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq, të cilët akuzohen për nxitjen e protestuesve për të sulmuar gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023, janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Nis seanca fillestare ndaj Simiqit dhe Vukasinoviqit
(14:20) - Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka filluar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviqit, të cilët akuzohen për nxitjen e protestuesve për të sulmuar gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023.
Seanca e shqyrtimit fillestar ishte paraparë të mbahej më 18 shtator, por ishte shtyrë për sot në mungesë të shkresave të lëndës për të akuzuarin Slavko Simiq dhe mbrojtësin e tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, më 16 qershor 2023, gjatë protestës kundër vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Simiq i ka dhënë urdhër turmës që të sulmonte mediat dhe më pas ekipet e mediave janë sulmuar me shok-bomba, grushte, shqelma e mjete të forta.
Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Krahas tij, të akuzuarin Vukasinoviq, Prokuroria e ngarkon edhe me akuzën për sulm.
Prokurorja e rastit, Ajtene Zoni, ka shpjeguar me hollësi aktakuzën ndaj Simiqit dhe veprimet e tij gjatë sulmit ndaj gazetarëve.
“I pandehuri Silvako Simiq, me datë 16.06.2023, rreth orës 14:15, në Leposaviq, i pandehuri me dashje merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personash, e cila me veprimet e tyre të përbashkëta shkakton rrezik të përgjithshëm.
Ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, personat civilë dhe të maskuar fillojnë të gjuajnë shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare me targa 02-182-FO, të markës Toyota Land Cruiser, ngjyrë të zezë dhe me ngjyra të ndryshme. Pasi që kalon ai, i pandehuri jep urdhër duke thënë “Mshanju mediave”, ashtu që sulmi vazhdon në drejtim të gazetarëve të mediumeve të Republikës së Kosovës: Pleurat Salihu, Bardh Bekteshi, Enes Mehmeti, Leonard Berisha, Dorontina Thaqi, Saranda Ramaj, Laura Kerolli Qorri, Ardian Shala, Bashkim Xhikolli, Albin Rrahmani, Arton Rama, Qëndresa Sinani. Fillimisht hedhin një shok-bombë, pastaj vazhdojnë t’i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta – kupëza betoni, tulla, ngjyrë dhe gjësende tjera, ku përpos dëmeve materiale në automjete dhe telefona, lëndime të rënda trupore pësojnë të dëmtuarit Pleurat Salihu dhe Bardh Bekteshi, kurse lëndime të lehta trupore pëson e dëmtuara Venera Xhoxhaj. Me këtë ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.”
I pandehuri Urosh Vukasinoviq, 1. Me datë 16.06.2023, rreth orës 14:15, në Leposaviq, i pandehuri me dashje përdor forcën ndaj gazetarëve të mediumeve të Republikës së Kosovës, i motivuar në bazë të kombësisë, në atë mënyrë që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, gjuan me mjete të forta – kupëza betoni, tulla dhe gjësende tjera – në drejtim të gazetarëve të mediumeve “Arbreshi.info”, “Klan Kosova”, “RTV Dukagjini”, “KTV”, “Indeksonline”, “TËVË 1”. Me këtë ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 i Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës. 2. Me datë 16.06.2023, rreth orës 14:15, në Leposaviq, i pandehuri me dashje merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personash, e cila me veprimet e tyre të përbashkëta shkakton rrezik të përgjithshëm. Ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri Elbert Krasniqi, personat civilë dhe të maskuar fillojnë të gjuajnë shok-bomba në drejtim të veturës zyrtare me targa 02-182-FO, të markës Toyota Land Cruiser, ngjyrë të zezë dhe me ngjyra të ndryshme, dhe pasi që kalon ai, vazhdojnë në drejtim të gazetarëve të mediumeve “Arbreshi.info”, “Klan Kosova”, “RTV Dukagjini”, “KTV”, “Indeksonline”, “TËVË 1”. Fillimisht hedhin një shok-bombë, pastaj vazhdojnë t’i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta – kupëza betoni, tulla, ngjyrë dhe gjësende tjera, ku përpos dëmeve materiale në automjete dhe telefona, lëndime të rënda trupore pësojnë të dëmtuarit Pleurat Salihu dhe Bardh Bekteshi, kurse lëndime të lehta trupore pëson e dëmtuara Venera Xhoxhaj.Me këtë ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 404 paragrafi 1 i Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.”